Saimir Alija
29 Maj 2018•Përditësim: 30 Maj 2018
TIRANË (AA) - Mes Kuvendit të Shqipërisë, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Qeverisë së Zvicrës është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që ka në fokus ndërgjegjësimin e qytetarëve me qëllim që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf që nënshkruan marrëveshjen, mbajtën një konferencë për mediat.
Kryeparlamentari i Shqipërisë, Ruçi, tha se gjatë takimit u diskutua mbi rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu dhe në arenën ndërkombëtare, ku sipas tij Shqipëria është jo vetëm përfituese nga ekspertiza e OSBE-së, por edhe kontribuon për ruajtjen dhe nxitjen e rolit të saj në sfidat e sigurisë në Evropë.
“OSBE, në bashkëpunim me ODHIR-in i kanë ofruar Kuvendit ekspertizën për përmirësimin e legjislacionit në përgjithësi dhe veçanërisht reformës zgjedhore në Shqipëri. Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur për të kryer këtë reformë, ku ndryshe nga herët e tjera, kemi filluar nga puna që në fillim të kësaj legjislature, për t’i dalë para sfidave të zgjedhjeve të pushtetit vendor të vitit 2019 si dhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021”, tha Ruçi.
Duke folur për nënshkrimin e marrëveshjes, Ruçi tha se ky projekt synon përmirësimin e funksionit ligjvënës dhe mbikëqyrës së Kuvendit, mbështetjen e administratës së Kuvendit për përmbushjen e funksioneve në mënyrë efikase si dhe për të rritur ndërveprimin me qytetarët.
Prezenca e OSBE-së, vijoi më tej Ruçi do t'i japë Kuvendit të Shqipërisë një mbështetje me orientim strategjik për forcimin e kapaciteteve të praktikave në përputhje me angazhimin e OSBE-së dhe standardet ndërkombëtare. Sipas Ruçit, Kuvendi i Shqipërisë do të promovojë standardet OSBE-së, në funksionet e veta.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, u shpreh se ky takim shërben për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe OSBE-së. “Shqipëria ka dhënë një kontribut shumë të madh, qoftë në aspektin politik dhe teknik në OSBE, dhe mund të përmend këtu kontributin cilësor të Shqipërisë në misionin në Ukrainë. E nxis Shqipërisë ta rrisë kontributin e saj për OSBE-në, duke formuar profilin e vet”, tha Greminger.
Sipas Greminger, OSBE është në Shqipëri për ta mbështetur atë dhe për reformat në kuadër të rrugëtimit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). “Unë e njoh mirë objektivin tuaj strategjik për anëtarësimin në BE dhe mjafton t'i hedhësh një sy prioriteteve të BE-së për Shqipërinë dhe dallohet që ato janë në përputhje me mandatin e OSBE-së. Kjo do të thotë që OSBE kthehet në një mjet të rëndësishëm që mund të përshpejtojë rrugën e Shqipërisë për në BE”, tha ai.
Duke folur për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, Greminger tha se projekti do të mbështesë Parlamentin e Shqipërisë për të përmbushur rolin e tij të mbikëqyrjes dhe përfaqësimit në mënyrë transparente.
Greminger gjatë vizitës në Shqipëri do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.