Bota

Qindra hebrenj fanatikë bastisin xhaminë Al-Aksa

Administrata e Fondacioneve Islame të Kudsit tha se deri më tani 880 hebrenj fanatikë nën mbrojtjen e policisë izraelite kanë bastisur xhaminë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar

Esat Fırat  | 26.05.2025 - Përdıtësım : 26.05.2025
 Qindra hebrenj fanatikë bastisin xhaminë Al-Aksa

Kuds

Qindra hebrenj fanatikë nën mbrojtjen e policisë izraelite bastisën xhaminë Al-Aksa për të shënuar 58-vjetorin e pushtimit izraelit të Kudsit Lindor, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga Administrata e Fondacioneve Islame të Kudsit thuhet se deri më tani 880 hebrenj fanatikë nën mbrojtjen e policisë izraelite kanë bastisur xhaminë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Kudsit Lindor të pushtuar.

Agjencia zyrtare palestineze WAFA raportoi se hebrenjtë fanatikë shpalosën flamurin izraelit brenda xhamisë Al-Aksa dhe kryen "rituale fetare".

Në lajm tërhiqet vëmendja për faktin se disa hebrenj u përpoqën të hynin në Al-Aksa me rrotulla të Torahut dhe theksohet se mijëra hebrenj fanatikë organizuan festime dhe ceremoni rreth xhamisë Al-Aksa dhe në portat e saj, veçanërisht në zonën e Murit Burak (Murit të Vajtimit).

Sipas kalendarit hebraik për të shënuar pushtimin e Kudsit Lindor nga Izraeli në vitin 1967, grupet fanatike hebreje të ekstremit të djathtë çdo vit mbajnë "marshime flamujsh" provokues.

Në këtë marshim, mijëra hebrenj fanatikë kalojnë nëpër zonën e Qytetit të Vjetër të Kudsit Lindor, ku jetojnë kryesisht palestinezët.

Gjatë kohëzgjatjes së marshimit, policia izraelite i mbyll zonat ku jetojnë palestinezët për këmbësorët dhe trafikun e automjeteve. Si pasojë shumë incidente ndodhin, pasi mijëra hebrenj fanatikë të cilët marshojnë me flamuj izraelitë dhe këndojnë himne raciste, sulmojnë palestinezët, dyqanet, shtëpitë dhe automjetet e tyre.

- Kudsi Lindor nën pushtim

Izraeli pushtoi Kudsin lindor pas luftës gjashtëditore në vitin 1967. Sipas ligjit ndërkombëtar, Kudsi Lindor konsiderohet nën pushtim.

Por, në vitin 1980, Izraeli në mënyrë të njëanshme e shpalli Kudsin "kryeqytet të tërë dhe të bashkuar". Ky vendim i Izraelit nuk u pranua nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas ligjit ndërkombëtar, dominimi i Izraelit mbi Kudsin Lindor konsiderohet i paligjshëm. Vendbanimet e ndërtuara nga Izraeli në Kudsin Lindor për të balancuar ekuilibrin demografik sipas popullsisë hebraike konsiderohen gjithashtu të paligjshme.

Palestina, e cila e konsideron Kudsin Lindor kryeqytetin e saj të ardhshëm, akuzon Izraelin për diskriminim ndaj popullsisë palestineze të qytetit dhe "përpjekje për të hebraizuar qytetin".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın