Abdula Berisha
14 prill 2022•Përditësim: 15 prill 2022
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bogdan Aurescu, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Osmani dhe Aurescu zhvilluan një takim dypalësh, ndërsa më pas u nënshkruan edhe dy memorandume mirëkuptimi, njëri për akademi dhe trajnim diplomatik, si dhe për sigurim social.
Në konferencën e përbashkët për media, dy kryediplomatët thanë se përveç çështjeve dypalëshe, në fokus të takimit ka qenë edhe lufta në Ukrainë.

"Temë kryesore ishte natyrisht invazioni ilegal ushtarak rus në Ukrainë. Si vend kandidat (për anëtarësim në BE), Maqedonia e Veriut është në tërësi e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme të sigurisë së unionit, përfshirë këtu edhe të gjitha sanksionet që unioni ia jep Rusisë", tha kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Rumanisë, Bogdan Aurescu, u shpreh i lumtur që kanë ndihmuar në evakuimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Ukraina përmes Rumanisë, si dhe që janë nikoqirë të përkohshëm të Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Ukrainë.
Aurescu gjithashtu tha se Romania është mbështetës i fuqishëm i procesit integrues të Maqedonisë së Veriut në BE.
"Mendoj se vendi juaj është plotësisht i përgatitur të fillojë bisedimet për anëtarësim dhe veçanërisht në këtë kontekst të agresionit ilegal ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe pasojave nga kjo, mendoj që zgjerimi i BE-së bëhet më relevant se kurrë më parë, pasi kemi nevojë për rajon të Ballkanit Perëndimor stabil dhe të sigurt. Kjo është e rëndësisë strategjike, jo vetëm për shtetet këtu, por edhe për BE-në në tërësi", tha ai.
Ministri Auresku gjatë qëndrimit të tij në Shkup do të takohet me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski; kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi; kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe zv/kryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.