Fatjon Cuka
19 Qershor 2020•Përditësim: 21 Qershor 2020
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka realizuar një takim zyrtar me homologun e saj të Kosovës, Anton Quni, me fokus diskutimet për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency(AA).
Në deklaratën e tyre të përbashkët pas takimit në Tiranë, Xhaçka dhe Quni theksuan rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë për integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.
Ministrja Xhaçka ka theksuar se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën do të jetë e pakursyer në çdo aspekt.
"Sot në rajonin tonë ka paqe e stabilitet. Pavarësisht sfidave e vështirësive që kemi akoma përpara është bërë një progres i jashtëzakonshëm. Fakti që sot Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtarë me të drejta të plota të NATO sigurisht që është një garanci më shumë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit e paqes që kërkojnë të gjithë popujt e rajonit", është shprehur Xhaçka.
Sipas ministres Xhaçka, përpjekja për të stabilizuar e zhvilluar rajonin, nuk mund të jetë kurrë e suksesshme pa integrimin e plotë të Kosovës në strukturat euro-atlantike, "duke filluar padyshim me anëtarësimin në NATO e duke vazhduar më pas me integrimin në Bashkimin Evropian".
"Jemi të gjithë të vetëdijshëm që ka shumë punë për të bërë për të arritur këto objektiva madhore strategjike. Dhe dua ta garantoj ministrin që qoftë në rrafshin politik e diplomatik, qoftë në atë teknik ne do të jemi krah për krah vëllezërve tanë duke ndarë të gjithë eksperiencën e Shqipërisë me integrimin në NATO", tha Xhaçka.
Ministri Quni është shprehur se Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë për ndihmën e partnerëve strategjikë, por sipas tij "është e nënkuptueshme që kjo ndihmë pritet nga ata me të cilët ne i ndajmë interesat e përbashkëta, shqetësimet e përbashkëta, pasi për shumë dekada e kemi një rrugëtim të përbashkët".
"Është mirë që partnerët strategjikë janë të përbashkët, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën. Kur flasim për nivelin e besimit përkundër marrëdhënieve shumë të mira që i kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Turqinë, Kroacinë, Britaninë e Madhe, e shumë shtete të tjera mike, është e natyrshme që ndihma më e madhe pritet nga vëllezërit dhe motrat e Shqipërisë që na përkrahin në gjitha proceset e zhvillimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës”, u shpreh Quni.
Quni theksoi më tej se Shqipëria është udhërrëfyes për Kosovën drejt integrimeve euro-atlantike në rrafshin e sigurisë dhe në rrafshin ushtarak.
Kujtojmë se gjatë ministerialit të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s të mbajtur disa ditë më parë, ministrja Xhaçka theksoi se “Shqipëria konfirmon praninë e saj në Kosovë", por edhe në vendet e tjera.