Furkan Abdula
12 Korrik 2023•Përditësim: 12 Korrik 2023
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në ditën e dytë të samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë ka zhvilluar një takim me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut, në takim bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe mes Shkupit dhe Athinës, si dhe theksuan gatishmërinë për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të tyre në çdo fushë me interes të përbashkët, veçanërisht në ekonomi.
Dy kryeministrat u shprehën të kënaqur me trendin e rritjes së tregtisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
Më tej, thuhet se Kovaçevski dhe Mitsotakis theksuan se bashkëpunimi në sektorin energjetik është i një rëndësie kyçe, për të cilin u dakorduan se "ka potencial të madh nëse merren parasysh projektet e përbashkëta për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm në Alexandroupolis, si dhe lidhja e gazit ndërmjet dy shteteve".
"Kryeministri Kovaçevski uroi homologun e tij grek Mitsotakis për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehu besimin se bashkëpunimi mes dy qeverive do të vazhdojë me intensitet të shtuar. Njëkohësisht, ai e falënderoi për mbështetjen e fuqishme greke për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE", thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në takim bashkëbiseduesit diskutuan edhe për çështje aktuale rajonale.