Furkan Abdula
11 Korrik 2023•Përditësim: 12 Korrik 2023
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, është takuar me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.
Në takim, sipas njoftimit të qeverisë, mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Kovaçevski ndodhet në Vilnius për të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, i cili po mbahet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, më 11 dhe 12 korrik.
Dy kryeministrat theksuan se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Estonisë janë tradicionalisht të mira dhe miqësore.
Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme të Estonisë në rrugën e Maqedonisë së Veriut për integrimin evropian.
Në takim u diskutuan temat nga agjenda e Samitit të NATO-s, si dhe kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.
“Kryeministri Kovaçevski falënderoi kryeministren estoneze Kallas për mbështetjen që Estonia jep për prioritetet tona si vend kryesues i OSBE-së dhe theksoi se Maqedonia e Veriut, si edhe më parë në kuadër të qëndrimit të saj në Organizatë, do të vazhdojë të bëjë përpjekje për përmirësimin e koordinimit dhe do të mbështesë zbatimin e përbashkët të aktiviteteve si parakusht për ndryshime pozitive në OSBE”, thuhet në njoftimin e qeverisë.