Politikë, BALLKANI

Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për bashkëqeverisje

"E uruam njëri tjetrin për gjithçka dhe besoj se do të na shkojë mbarë e mirë sepse jemi pajtuar që të qeverisim bashkë. Kështu që urime të gjithëve", tha kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti

Agim Sulaj   | 10.10.2019
Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për bashkëqeverisje ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Partia që ka dalë e para nga zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosje dhe partia e dytë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë arritur sot marrëveshje për të bashkëqeverisur në qeverinë e re, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas një takimi rreth një ore midis kreut të VV-së, Albin Kurtit, kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës si dhe kandidates për kryeministre nga kjo parti Vjosa Osmani, u tha se është arritur marrëveshje që këto dy parti të bashkëqeverisin.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta, ndërsa ky takim është fillim i planifikimit të kësaj qeverisjeje.

"Synimi ynë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve, të respektojmë të drejtat e tyre dhe ta orientojmë shtetin kah drejtësia, kah zhvillimi, kah demokracia dhe mirëqenia për të gjithë. Jemi dakorduar që të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor. Minimalisht, pra do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministrave dhe zëvendësministrave. Do të kemi shumë më pak ministri shumë më pak ministra por do të kemi shumë angazhim e më shumë punë. Ekipet tona profesionale të VV-së e LDK-së do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe për t’u dakorduar për projektet tona. E uruam njëri tjetrin për gjithçka dhe besoj se do të na shkojë mbarë e mirë sepse jemi pajtuar që të qeverisim bashkë. Kështu që urime të gjithëve", theksoi Kurti.

Ndërkaq, kandidatja për kryeministre e LDK-së, Vjosa Osmani tha se takimi i sotëm ka qenë në nivel më shumë të parimeve jo të detajeve.

"Të dyja partitë, treguam vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë. Dhe, vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve të Kosovës. Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimet tona, kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive, mirëpo do të rritet sa i përket punës së mirë për qytetarët", tha Osmani.

Ajo shtoi se LDK ende po e pret rezultatin final dhe nëse ndryshon pozita e këtyre dy partive, nuk do të hezitojnë që në bashkëqeverisje të pranojnë që kushdo që ka fituar ta marrë pozitën e kryeministrit.

Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), partia e parë është Lëvizja Vetëvendosje me 25.49 për qind të votave, e ndjekur nga LDK me 24.83 për qind.

Në zgjedhjet e së dielës morën pjesë në votime 44.18 për qind e votuesve. Rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato nga diaspora. KQZ ka bërë të ditur se votat me kusht dhe nga diaspora do të numërohen gjatë ditëve në vazhdim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın