BALLKANI

Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan deklaratë për pikat kufitare

Dokumenti i nënshkruar parasheh që deri në fund të vitit 2021 këto tri shtete të gjenden në sistemin e vetëm i cili do të mundësojë ambient më të mirë afarist, transport më të lehtë dhe punësim, por edhe kalimin e kufirit vetëm me karta identiteti

Aleksandar Savanovic  | 10.10.2019 - Përdıtësım : 11.10.2019
Vuçiç, Rama dhe Zaev nënshkruan deklaratë për pikat kufitare ( Aleksandar Jovanovic - Anadolu Agency )

Novi Sad

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, kanë nënshkruar Deklaratën për zbatimin e katër lirive të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, Liria e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, raporton Anadolu Agency (AA).

Dokumenti i nënshkruar parasheh që deri në fund të vitit 2021 këto tri shtete të Ballkanit Perëndimor të gjenden në sistemin e vetëm i cili do të mundësojë ambient më të mirë afarist, transport më të lehtë dhe punësim, por edhe kalimin e kufirit vetëm me karta identiteti. 

Thirrje t'i bashkangjiten “Shengenit të vogël” u është bërë edhe anëtareve të tjerë të “gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor”, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës.

Të tre nënshkruesit ranë dakord se bëhet fjalë për një dokument shumë të rëndësishëm që do të forcojë ekonomikisht rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të ndikojë më shumë në investimet e huaja, por edhe se në nivelin ndërkombëtar, zëri i rajonit të bashkuar ekonomikisht do të ketë peshë më të madhe politike përpara institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.

“Nuk guxojmë të jemi pengje të historisë dhe burokracisë, doemos duhet të bëjmë diçka për ardhmërinë e fëmijëve tanë”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev tha se katër liritë rreth të cilave është nënshkruar marrëveshja, është themeli mbi të cilin shtrihet Bashkimi Evropian dhe se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë potencial të pashfrytëzuar.

“Kjo iniciativë është një hap politik për relaksimin e marrëdhënieve në rajon. Ballkani më nuk është 'fuçi baroti' siç ka qenë nga shekulli i 19-të. Ky është Ballkani i shekullit të 21-të i orientuar drejt paqes, stabilitetit, zhvillimit ekonomik, integrimit dhe avancimit të cilësisë së jetës”, theksoi Zaev.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se kjo është një mundësi që i gjithë rajoni të respektohet më shumë në marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe të sigurojë një zhvillim të rëndësishëm të vendeve nënshkruese.

“Shumë persona takimin tonë këtu në Novi Sad, i njohur për frymën e tij të tolerancës, do ta quajnë revolucionar. Unë nuk jam i gatshëm të përdor fjalë të tilla, por mendoj se takimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për tre vendet tona. Për Serbinë, pa dyshim”, theksoi Vuçiç. 

Ai shtoi se bëhet fjalë për një rajon me 12 milionë njerëz dhe se fluksi i lirë i mallrave, parave, njerëzve dhe shërbimeve është me rëndësi thelbësore për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Ai përmendi shifrat e Bankës Botërore që 26 milionë orë humbet çdo vit në kufijtë e rajonit për të pritur kamionë mallrash. Ky protokoll krijon kushtet që kjo situatë të ndryshojë ndërsa paratë e shpenzuara për të pritur në kufij të devijohen në paga më të larta të punëtorëve.

“Dëshirojmë të zbresim nivelin e papunësisë në Ballkanin Perëndimor që tani është 19,1 për qind. Jemi të hapur për partnerët tanë nga 'gjashtëshja' e Ballkanit Perëndimor. Por, këtë e inicuam që të vendosim rregulla dhe të gjithë, nënkuptohet, janë të mirëseardhur”, theksoi Vuçiç, duke i bërë thirrje BE-së që të fillojë bisedimet për anëtarësimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Është dakorduar që takimi i radhës të jetë në Ohër më 10 nëntor, ndërsa një muaj më vonë në Shqipëri. U paralajmërua se ftesa do t'u dërgohet edhe anëtarëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor, me shpresë se çështjet politike të zgjedhjes së qeverive në Prishtinë dhe Sarajevë do të përfundojnë deri atëherë.

Në tekstin e deklaratës në gjuhën angleze, që u nda me gazetarët pas firmosjes së saj, mes tjerash konstatohet se të gjitha shtetet nënshkruese janë të përcaktuara për anëtarësim në BE dhe për ndihmë të ndërsjellë në këtë rrugë dhe se dallimi ekonomik mes gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe 28 shteteve anëtare të BE-së është i madh, duke theksuar se Prodhimi i Brendshëm Bruto në BE gjatë vitit 2018 ka qenë më shumë se 100 herë më i madh se në vendet e 'gjashtëshes' së Ballkanit Perëndimor, ndërsa papunësia në vendet e BE-së ka qenë tri herë më e vogël se në Ballkanin Perëndimor.

"Liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të veprojnë në drejtim të mjedisit të ri politik dhe ekonomik në rajon", thuhet në deklaratë, duke shtuar se lëvizja e lirë e mallrave, parave, shërbimeve dhe njerëzve në të gjithë rajonin, për rreth 20 milionë persona do të mundësojë tregun e vetëm për avancimin e standardit të jetës dhe përgatitjen e mbarë rajonit për anëtarësim në BE në të ardhmen.

Siç thuhet, hapi i parë është heqja e kontrolleve kufitare dhe lëvizja e lirë në rajon sa më shpejtë të jetë e mundur, jo më vonë se 2021.

“Njerëzit do të jenë në gjendje të udhëtojnë në të gjithë rajonin me dokumente të vlefshme personale. Do të duhet të jenë në gjendje të punojnë kudo në rajon nëse janë të kualifikuar. Diplomat duhet të pranohen në të gjithë rajonin. Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë njëri-tjetrin në raste të tilla si fatkeqësitë natyrore”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın