Vazhdojnë përgatitjet për muajin e Ramazanit në Shkup
Në tezga janë ekspozuar hurma, fruta të thata, llokume dhe produkte të ndryshme ushqimore, ndërsa në treg vihet re një frekuentim i shtuar i qytetarëve
Shkup
Në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, në Bit Pazar, vazhdojnë përgatitjet për muajin e Ramazanit, muaj që është i shenjtë për muslimanët në mbarë botën, raporton Anadolu.
Në tezga janë ekspozuar hurma, fruta të thata, llokume dhe produkte të ndryshme ushqimore, ndërsa në treg vihet re një frekuentim i shtuar i qytetarëve.
Para fillimit të muajit të Ramazanit, qytetarët furnizohen me produktet e nevojshme për sofrat e iftarit dhe syfyrit.
Tregtarët theksojnë se interesimi është rritur veçanërisht për hurmat dhe produktet bazë ushqimore ndërsa në çdo cep të tregut mbizotëron gjallëri.
Sipas njoftimit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut (BFI), teravia e parë falet nesër, më 18 shkurt, ndërkaq të enjten fillon agjërimi.
Edhe xhamitë e Shkupit u pastruan dhe u përgatitën për këtë muaj.
