TUGVA organizon program iftari në Shkup
Kreu i TUGVA-së, Ibrahim Besinci, tha se ata janë një nga lëvizjet më të mëdha rinore të Turqisë që prodhon shërbime për të gjithë të rinjtë nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të vendit, në 81 provinca dhe 605 rrethe
Shkup
Fondacioni Rinor Turk (TUGVA) dhe Klubi i Rinisë Turke në Maqedoninë e Veriut organizuan program iftari në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), raporton Anadolu.
Në programin e iftarit me temë "Unitet në Rini, Vëllazëri në Zemër", të organizuar në një hotel në Shkup, morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke dhe vendore, nxënës dhe studentë, si dhe shumë të ftuar.
Kryetari i Përgjithshëm i TUGVA-së, Ibrahim Besinci, në fjalimin e tij këtu tha se ata janë një nga lëvizjet më të mëdha rinore të Turqisë që prodhon shërbime për të gjithë të rinjtë nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim të vendit, në 81 provinca dhe 605 rrethe.
Duke theksuar se në themel të punës së tyre qëndrojnë të rinjtë, Besinci tha: "Së bashku me rreth 13 projekte kryesore, ne prekim jetën e më shumë se një milion të rinjve tanë, hyjmë në zemrat e tyre dhe përpiqemi të jemi në zemrat e tyre. Ne dëshirojmë që të rriten të rinj intelektualë me qëndrim dinjitoz dhe me këmbë fort në tokë. Të rriten të rinj me zemërim fisnik dhe të drejtë. Një rini që nuk e harron 15 Korrikun, nuk e harron 28 Shkurtin dhe nuk i harron tokat e lashta të Palestinës".
Ndërkaq, kryetari i Klubit të Rinisë Turke, Sercan Zuber, theksoi se besojnë që organizime të tilla që forcojnë lidhjet e vëllazërisë mes të rinjve hedhin themelet e një solidariteti shumë më të fortë në të ardhmen.
Duke falënderuar TUGVA-në dhe TIKA-n për mbështetjen e tyre, Zuber tha: "Ne si të rinj që jetojmë në Ballkan kemi përgjegjësinë që trashëgiminë e vëllazërisë që kemi marrë nga historia jonë ta përcjellim tek brezat që do të vijnë pas nesh".
Nga ana tjetër, rektori i Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), Prof. Dr. Lutfi Sunar dhe rektori i Universitetit Ndërkombëtar Vizyon, Prof. Dr. Ahmet Vecdi Can, gjithashtu mbajtën nga një fjalim dhe uruan pjesëmarrësit për festën e ardhshme të Fitër Bajramit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
