Kulturë, BALLKANI

Tiranë, ekspozitë për Kongresin e Manastirit

Ekspozita organizohet nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe përfshin dokumente dhe fotografi mbi përpjekjet për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, organizimin e Kongresit të Manastirit dhe fotografi të delegatëve pjesëmarrës

Fatjon Cuka   | 25.11.2020
Tiranë, ekspozitë për Kongresin e Manastirit Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Tiranë është hapur ekspozita me titull “Kongresi i Manastirit-Rruga drejt bashkimit kombëtar”, që organizohet në kuadër të aktiviteteve për 112-vjetorin e kongresit ku u vendos për unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm drejtues të Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, studiues dhe të ftuar të tjerë.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, në ceremoninë e hapjes tha se Kongresi i Manastirit paraqet rrugëtimin dhe përpjekjet për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, që sipas tij është një nga ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve në shekullin XX.

"Kjo ekspozitë vjen si një bashkim dhe si një pasqyrim i përpjekjeve të shqiptarëve për të pasur një alfabet dhe për t’i dhënë frymë fjalës shqipe. Një pjesë e ekspozitës është pasqyrimi edhe për biografitë përkatëse të disa anëtarëve të Kongresit të Manastirit. Për shkaqe të njohura historike ne e dimë që një pjesë e tyre që ishin një pjesë shumë e rëndësishme e elitës shqiptare dhe pjesëmarrës në shtetndërtim, në kohën e regjimit të kaluar u anatemuan dhe ata ende nuk njihen”, u shpreh Koçi.

Duke iu referuar pasqyrimit të biografisë së delegatëve të Kongresit të Manastirit, Koçi tha se "E kemi bërë me një ndërgjegje të plotë pasqyrimin e këtyre figurave, për t'u thënë shqiptarëve sidomos brezit të ri, se cilët janë etërit themelues të gjuhës shqipe, cilët janë etërit themelues të identitetit kombëtar të shqiptarëve."

Ai në fund theksoi se qytetarët e interesuar gjatë ditëve të ekspozitës do të kenë mundësi të shikojnë një historik të shkurtër të përpjekjeve të shqiptarëve për një alfabet dhe rreth Kongresit të Manastirit.

Ekspozita e cila do të qëndrojë e hapur për disa ditë organizohet nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe përfshin dokumente dhe fotografi mbi përpjekjet për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe, organizimin e Kongresit të Manastirit dhe fotografi të delegatëve pjesëmarrës.

Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14-22 nëntor të vitit 1908 dhe vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shekullit XX.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın