Fatjon Cuka
08 Tetor 2021•Përditësim: 10 Tetor 2021
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në një konferencë për mediat tha se prioritetet kryesore të veprimtarisë parlamentare do të jenë për procesin e avancimit të reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën me fokus mbi prioritetet e legjislaturës së re dhe transparencën e veprimtarisë parlamentare, Nikolla tha se është detyrë e Kuvendit t'i përgjigjet publikut në kohë reale, prandaj sipas saj e tillë do të jetë transparenca e veprimtarisë parlamentare.
"Besoj do të jetë legjislatura që ne do të ndjekim edhe çeljen e negociatave dhe bisedimeve për anëtarësim në Bashkim Evropian, ashtu sikurse do të jetë legjislatura që do të avancojë reformën në drejtësi, reformën elektorale dhe një sërë reformash të tjera që janë të rëndësishme për shtetin e së drejtës, për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, për më shumë drejtësi sociale dhe për më shumë cilësi të jetës për qytetarët tanë", u shpreh Nikolla.
Ajo theksoi se beson se sesionet parlamentare do të jenë shumë më të fokusuar në atë që janë problemet reale të vendit, duke shtuar se patjetër që parlamenti do të bëjë më mirë detyrën e tij kryesore "që është edhe detyra e kontrollit të qeverisë për mënyrën se sa dhe si u shërben qytetarëve".
Nikolla u shpreh ndër të tjera se do të jetë një legjislaturë ku bashkëpunimi midis Parlamentit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Kosovës do të marrë një rëndësi tjetër.
"Për sa më takon në detyrën e lartë të kryetares së parlamentit do të bëj maksimumin jo vetëm për të qenë në lartësinë e detyrës, por për të mundësuar më shumë etikë, më shumë komunikim, më shumë transparencë dhe me shumë dialog në të gjithën jetën e veprimtarisë së parlamentit", u shpreh kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë.
Lindita Nikolla është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në seancën e konstituimit të legjislaturës së re më 10 shtator.