Fatjon Cuka
19 Tetor 2023•Përditësim: 20 Tetor 2023
Seanca e Kuvendit të Shqipërisë e planifikuar që të mbahej sot nuk është zhvilluar, për shkak të tensioneve dhe bllokimit të sallës së seancave plenare nga deputetët e opozitës, raporton Anadolu.
Deputetët e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe deputetë të tjerë opozitarë jashtë grupeve parlamentare, kanë bllokuar vendet e qëndrimit të ministrave dhe të drejtuesve të Kuvendit, duke shkaktuar përplasje dhe tensione dhe duke mos lejuar fillimin e saj.
Ndërkohë, edhe pas shtyrjes së seancës, një pjesë e deputetëve të opozitës kanë qëndruar në sallën e seancave plenare.
Deputetët e PD-së kanë theksuar se "duke nisur nga kjo e enjte do të nisë qëndresa e opozitës në parlament", pasi sipas tyre "parlamenti është shndërruar në një institucion personal të Edi Ramës dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla".
Deputetët e opozitës kanë theksuar se "në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë në komisione paraqitjen e ministrave dhe ata me urdhër të Edi Ramës, refuzojnë të paraqiten duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit".
Kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, Bledar Çuçi, në një deklaratë për mediat u shpreh se "asgjë nuk e justifikon dhunën ndaj institucionit".
Ndërkohë, në lidhje me zhvillimet brenda sallës së seance plenare ka reaguar edhe zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, duke njoftuar shtyrjen e seancës.
"Në pamundësi për zhvillimin normal të seancës plenare, për shkak se deputetë të opozitës bllokuan hyrjen në sallë, vendin ku ulet Kryetarja e Kuvendit dhe kabineti qeveritar, si dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela (Felaj) Valikaj në cilësinë e drejtueses së seancës njoftoi shtyrjen e saj", thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Në seancën e planifikuar për sot, ishte përcaktuar që do të diskutoheshin ndryshimet ligjore në ligjin "Për avokaturën e shtetit" dhe të mbahej një interpelancë me ministren e Kulturës, Elva Margariti lidhur gjendjen aktuale, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pasurive që janë listën e trashëgimisë botërore të mbrojtura nga UNESCO.
- Protesta e pensionistëve dhe minatorëve
Nga ana tjetër, gjatë përgatitjeve për fillimin e seancës, përpara selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, dhjetëra pensionistë, minatorë dhe ish-minatorë organizuan një protestë.
Sipas tyre, protesta organizohet për të kërkuar rritjen e pensioneve dhe miratimin e statusit të minatorit.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet "Po vidhen miliona, ndërsa populli ha bukë thatë", "Të rishikohet trajtimi i veçantë për ish-minatorët" dhe "Miratoni statusin e minatorit".
Gjatë protestës, disa nga pjesëmarrësit në protestë janë përplasur me forcat e policisë, pasi kanë tentuar të hyjnë në ambientet e jashtme të selisë së Kuvendit të Shqipërisë.