Shqipëria shënon 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO
Shqipëria u anëtarësua në NATO më 1 prill të vitit 2009
Tiranë
Shqipëria sot shënon 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërkohë ky anëtarësim konsiderohet nga autoritetet shqiptare si një ndër arritjet më të rëndësishme historike për vendin, raporton Anadolu.
Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, Shqipëria filloi procesin e bashkëpunimit dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe NATO-n.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO filloi në vitin 1992, me pranimin e vendit zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC), që ishte organizmi i parë që krijoi Aleanca për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropë.
Një nga zhvillimet e rëndësishme në këtë proces është ai i vitit 2003, kur Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia (sot Maqedonia e Veriut) së bashku me SHBA-në nënshkruan "Kartën Adriatik 3 - SHBA", që u konsiderua si një nismë që do të përgatiste anëtarësimin e këtyre vendeve në NATO.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit më 2 prill të vitit 2008, ndërkohë më 25 prill të të njëjtit vit Shqipëria filloi zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në Aleancë.
Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill të vitit 2009 ndërkohë mori pjesë për herë të parë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill të vitit 2009.
- Bashkëpunimi Shqipëri-NATO
Shqipëria dhe NATO kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë bashkëpunimin në disa fusha në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe NATO-s shënuan një stad të ri pas vendimit të Aleancës për të ndërtuar një bazë taktike ajrore në Shqipëri, që konsiderohet baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Më 4 mars 2024, në Kuçovë të Qarkut të Beratit u inaugurua Baza Ajrore Taktike e NATO-s, e vetmja bazë e Aleancës në rajon, që është konsiderua nga autoritetet shqiptare me rëndësi të re gjeostrategjike për Shqipërinë.
Një aspekt tjetër i bashkëpunimit janë edhe operacionet dhe misionet paqeruajtëse. Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar më parë dhe marrin pjesë në operacione ndërkombëtare dhe në misione të ndryshme jashtë vendit, si pjesë e operacioneve të drejtuara nga NATO, por edhe nga BE-ja dhe Kombet e Bashkuara (OKB).
Ushtarakët shqiptarë janë angazhuar në periudha të ndryshme në dhjetëra misione dhe operacione jashtë vendit, si në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Irak, Çad, Gjeorgji, në Detin Egje, Mali, Afganistan, Sudani i Jugut dhe Letoni.
- Samiti NATO-s në 2027 do të mbahet në Shqipëri
Samiti i NATO-s për vitin 2027 do të mbahet në Tiranë, pas një vendimi unanim të Aleatëve në takimin në Hagë në vitin 2025.
Në delegacionin e udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, Shqipëria riafirmoi angazhimin e saj për mbrojtjen, reziliencën dhe sigurinë kolektive.
Shtetet aleate ranë dakord të investojnë deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të tyre në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2035, me një fokus të veçantë në industrinë ushtarake dhe teknologjinë.
"Shprehim mirënjohjen tonë për mikpritjen bujare që na u ofrua nga Mbretëria e Holandës. Presim me padurim takimin tonë të ardhshëm në Turqi në 2026, i ndjekur nga një takim në Shqipëri", theksonte Deklarata e Samitit të Hagës, lëshuar nga kreu i shteteve dhe qeverive të NATO-s që morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut në Hagë më 25 qershor 2025.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
