Saimir Alija
08 Prill 2019•Përditësim: 09 Prill 2019
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, priti në një takim zëvendës kryeministrin, njëkohësisht dhe ministër i Brendshëm i Çekisë, Jan Hamáček, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit, Lleshaj dhe Hamáček mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku ministri Lleshaj tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe sipas tij Çekia është një vend mik dhe një model i mirë i integrimit në BE.
“Çekia është një vend evropian i cili prin në shumë aspekte sa i përket rritjes ekonomike, uljes së papunësisë, zhvillimit të përgjithshëm ekonomiko-social të vendit, një model i mirë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, tha Lleshaj. Sipas Lleshajt në takim është diskutuar lidhur me emigracionin e paligjshëm dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“Shqipëria është vendi i parë që ka nënshkruar marrëveshjen me FRONTEX për kontrollin e përbashkët të kufijve dhe Çekia parashikon të ofrojë kontribute substanciale në këtë fushë. Në të njëjtën kohë nga aq sa përpiqemi për të forcuar kontrollin e kufijve dhe pengimin e lëvizjeve të paligjshme, po ashtu jemi të angazhuar për të lehtësuar lëvizjen e lirshme të qytetarëve në kufijtë tanë si një mënyrë e mirë për të promovuar ato vlera që Bashkimi Europian përfaqëson”, u shpreh Lleshaj. Duke folur për rrugën evropiane të Shqipërisë, Lleshaj tha se Çekia ka mbështetur integrimin evropian të Shqipërisë e të rajonit.
“Gjatë diskutimit që patëm me ministrin çek, por dhe me delegacionin e tij të nivelit të lartë u konfirmua gatishmëria e Çekisë për ta mbështetur, për ta shoqëruar Shqipërinë në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian”, deklaroi Lleshaj. Ndërsa Hamáček në fjalën e tij tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira dhe se Shqipëria ka ndryshuar shumë dhe sipas tij ka marrë një zhvillim pozitiv.
“Ne kemi dëshirë që të ndihmojmë Shqipërinë, sepse interesi ynë është që të ndalojmë migracionin. Atë çfarë kemi parë në vitin 2015, kur nëpërmjet rrugës së Ballkanit kanë kaluar emigrantë dhe për këtë duam të falënderojmë dhe Shqipërinë, policinë e Shqipërisë dhe institucionet e tjera shqiptare që kanë ndihmuar në këtë fushë”, u shpreh Hamáček. Lidhur me bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë, Hamáček theksoi se ka filluar prej vitesh.
“Bashkëpunimi ynë vazhdon prej vitesh. Ne kemi një shkëmbim të madh informacionesh të njësive të ndryshme të policisë, organet e ndryshme të policisë bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe kanë qenë të suksesshme, dua vërtet të përgëzoj Policinë shqiptare për punën që kanë bërë, ka kaq shumë persona të arrestuar dhe ka shumë pasuri, asete të konfiskuara”, tha Hamáček. Duke folur integrimin e Shqipërisë në BE, Hamáček tha se Çekia e mbështet dhe se Shqipëria është e përgatitur për të vazhduar më tej në hapat e integrimit në BE.
“Mendojmë që Shqipëria ka bërë zhvillim të madh, i ka bërë detyrat e shtëpisë që Bashkimi Europian i ka dhënë asaj dhe unë mendoj se Shqipëria është e përgatitur për të vazhduar dhe më tej në hapat e integrimit në BE. Ne mendojmë që e vetmja zgjidhje e mundshme për Ballkanin Perëndimor është zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor. Ne do të mundohemi të flasim me partnerët tanë në BE, që e vetmja gjë e rëndësishme është kjo gjë dhe kur ne po zgjidhim çështjen e BREXIT nuk është e nevojshme të lëmë mënjanë çështjen e zgjerimit të BE me Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Hamáček.