Fatjon Cuka
08 Maj 2026•Përditësim: 08 Maj 2026
Opozita në Shqipëri ka vazhduar protestat antiqeveritare, ndërkohë që protesta e sotme është shoqëruar me tensione dhe përplasje, raporton Anadolu.
Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), me mbështetjen edhe të partive të tjera opozitare, ka organizuar protestën kombëtare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Fillimisht protestuesit u mblodhën para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe deputetë të opozitës.
Gjatë protestës nuk pati fjalime nga përfaqësuesit e opozitës, ndërsa protestuesit marshuan edhe në disa nga rrugët e kryeqytetit, duke përdor edhe koktej molotovi dhe fishekzjarrë pranë selisë së Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë, gjatë marshimit të protestuesve filluan edhe tensionet, pasi forcat e policisë nuk kanë lejuar protestën para selive të ministrive, duke shpërndarë protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë.
Gjithashtu u shënuan edhe përplasje mes disa deputetëve dhe protestuesve nga njëra anë dhe forca të policisë nga ana tjetër.
Për protestën u angazhuan qindra forca policore shtesë dhe u bllokuan disa akse rrugore.
Partitë opozitare kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, ndërkohë që kanë paralajmëruar vijimin e protestave.