Fatjon Cuka
19 Prill 2020•Përditësim: 20 Prill 2020
Me konfirmimin e 14 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur gjithsej në 562, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në 24 orët e fundit në Shqipëri janë testuar 231 persona të dyshuar me COVID-19, ndërsa nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me koronavirus.
“Deri në këto momente janë testuar 5,542 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 562 raste, rreth 10 për qind e të gjithë të testuarve. Kjo shifër tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 314.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat e shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.