Fatjon Cuka
22 Mars 2023•Përditësim: 23 Mars 2023
Në Shqipëri është kremtuar me disa ceremoni dhe aktivitete Dita e Nevruzit, që shënohet si festë zyrtare, raporton Anadolu.
Ceremonia qendrore është organizuar në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, me pjesëmarrjen e qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme dhe klerikëve bektashinj.
Gjatë ceremonisë tradicionale, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti të pranishmit, duke përcjellë urimet dhe mesazhet e tij për festën e Nevruzit.
Pjesë e ceremonisë qendrore ishte edhe programi artistik me këngë dhe valle shqiptare.
Ndërkohë, aktivitete dhe ceremoni festive janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Me rastin e Ditës së Nevruzit, zyrtarë të lartë të Shqipërisë, politikanë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
Dita e Nevruzit në Shqipëri shënohet si festë zyrtare, ndërkohë simbolizon ditën e shpresës dhe ripërtëritjes që përkon edhe me ardhjen e stinës së pranverës.