Fajton Cuka
23 Dhjetor 2022•Përditësim: 25 Dhjetor 2022
Me rastin e festave të fundvitit, në Tiranë është organizuar eventi i ekspozimit për publikun i koleksionit të automjeteve të vjetra historike që kanë statusin "Retro" në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e aktivitetit të organizuar pranë qendrës së kryeqytetit, nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë (DPSHTRR), ishin të pranishëm ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, zyrtarë të tjerë dhe artistë të ndryshëm.
Për koleksionin e automjeteve "Retro", qytetarët shfaqën interes, ndërsa pjesë e eventit ishin edhe dhjetëra fëmijë që u bënë pjesë e programit artistik, duke krijuar një atmosferë festive.
Ndërkohë, koleksioni i automjeteve historike u vizitua edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, në fjalën e saj theksoi se janë në këtë aktivitet për të promovuar atë që është e vjetër dhe që ka vlerë.
"Është një atmosferë vërtet shumë e bukur dhe me shumë dëshirë iu afrova që të festonim së bashku", tha Margariti.
Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, në fjalën e tij tha se thelbi i nismës "Retro" është që të transmetojnë këto vlera tek brezat.
Aktiviteti u organizua edhe në kuadër të anëtarësimit të nismës shqiptare të koleksionit të automjeteve të vjetra me vlera historike "Retro", në Federatën Ndërkombëtare të Mjeteve Historike (FIVA).
Statusi "Retro" nënkupton regjistrimin zyrtar të automjetit nga institucionet e Shqipërisë si automjet i dalë nga qarkullimi dhe i ruajtur për qëllime koleksioni dhe që njihet për vlerat historike.
Aktualisht në Shqipëri ka qindra mjetë të tilla me këtë status që posedohen nga persona të ndryshëm dhe që përdoren për evente të ndryshme, ekspozita dhe ceremoni.