BALLKANI

Shqipëri, dhjetëra të arrestuar për dhunën në protestë

Gjatë protestës së djeshme kanë mbetur të lënduar nga veprimet e dhunshme 5 punonjës policie të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën

Fatjon Cuka  | 14.04.2019 - Përdıtësım : 15.04.2019
Shqipëri, dhjetëra të arrestuar për dhunën në protestë

Tiranë

Në lidhje me aktet e dhunës në protestën e djeshme të partive opozitare në Tiranë janë proceduar 61 persona, ndërsa 37 prej tyre janë arrestuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka njoftuar se veprimet e policisë janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

"Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 37 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës shtetërore e private gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ditën e djeshme para Parlamentit", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjatë protestës së djeshme kanë mbetur të lënduar nga veprimet e dhunshme 5 punonjës policie të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në lidhje me protestën, sot reagoi edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të cilët në deklaratat e tyre për mediat theksuan se personat që kanë nxitur dhunën do të përgjigjen sipas ligjit.

"Të gjithë ata që në forma të ndryshme kanë nxitur ose kanë kryer aktet e dhunës në protestën e djeshme, duhet të marrin dënimin sipas parashikimit të ligjit. E drejta e protestës, sidomos kur ushtrohet nga vetë qytetarët, është mjet që i shërben demokracisë së një shteti. Por kur protestat bëhen nga partitë politike për luftën për pushtet, protesta është e pajustifikueshme dhe s’mund të shërbejë si mjet që zëvendëson institucionet demokratike", ka theksuar ministrja Gjonaj.

Protesta e partive opozitare e mbajtur më 13 prill para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë dhe Kuvendit të Shqipërisë u përfshi nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve. Protestuesit opozitarë sulmuan me tymuese, bojë, dhe sende të tjera forcat e policisë dhe selitë e institucioneve.

Partitë opozitare në Shqipëri, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), pas dorëzimit të mandateve parlamentare kanë organizuar muajt e fundit disa protesta, të cilat u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın