Fatjon Cuka
17 Qershor 2020•Përditësim: 18 Qershor 2020
Dhjetëra punonjës dhe përfaqësues të shoqatave të transportit publik kanë protestuar sot në Tiranë për të kërkuar rifillimin e shërbimit të transportit publik, që vazhdon i ndaluar për disa muaj në kuadër të masave kundër përhapjes së kornavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency(AA).
Me pankartat në duar me mbishkrimet "Dua të punoj", "Mbështetje transportit publik" dhe "Stop informalitetit", protestuesit e mbledhur pranë ambienteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë kërkuar rihapjen e transportit publik si dhe pagë shtesë nga autoritetet pas vendimit për shtyrjen e rihapjes së këtij transporti për qytetarët.
Forcat e policisë iu kanë bërë thirrje protestuesve që të shpërndahen, duke konsideruar se protesta e tyre ishte e paligjshme dhe e rrezikshme, ku u shënuan edhe tensione.
Në rast të mos plotësimit të kërkesave të tyre, përfaqësuesit e sektorit të transportit publik kanë paralajmëruar organizimin e protestave të tjera në ditët në vazhdim.
Protesta u organizua pas thirrjes nga Shoqata Transporti Ndërqytetas dhe Rrethqytetas të Udhëtarëve, pas vendimit të institucioneve për shtyrjen e hapjes së transportit publik me një javë, që është i mbyllur që në mesin e muajt mars.
Hapja e transportit publik në Shqipëri ishte planifikuar për më 15 qershor, por pas rritjes së rasteve me COVID-19 është shtyrë me një javë, pasi sipas autoriteteve të vendit konsiderohet si "aktivitet me rrezikshmëri të lartë".
Aktualisht në Shqipëri që nga fillimi i pandemisë COVID-19 janë konfirmuar gjithsej 1.722 raste pozitive, ku 38 persona kanë ndërruar jetë dhe mes tyre 1.077 janë shëruar.