BALLKANI

Shqipëri, panair mbi shërbimet e kujdesit shëndetësor

Panairi organizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ndërsa përveç ekspozimeve do të ofrohen vizita mjekësore falas për qytetarët që do ta vizitojnë

Saimir Alija   | 31.10.2019
Shqipëri, panair mbi shërbimet e kujdesit shëndetësor ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë është hapur panairi “Expo Medical”, i cili ka në fokus rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor për qytetarët, raporton Anadolu Agency (AA).
Panairi organizohet për të dytin vit radhazi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, ndërsa përveç ekspozimeve të pajisjeve dhe medikamenteve do të ofrohen vizita mjekësore falas për qytetarët që do ta vizitojnë.

Sipas organizatorëve vizitat mjekësore që do të ofrohen falas për qytetarët përfshijnë disa shërbime të kujdesit shëndetësor, ndërsa në hapje filloi edhe konferenca shkencore që trajton disa tema mjekësore.

Në stendat e këtij panairi marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të shëndetësisë dhe kompanive vendore të kujdesit shëndetësor, për të dëshmuar sipas organizatorëve, se mënyrat për të jetuar një jetë sa më të shëndetshme mbështeten mbi një kulturë sa më të mirë shëndetësore.

Në këtë panair përfshihen një spektër i gjerë ekspozimesh dhe shërbimesh, duke filluar me kujdesin shëndetësor, mënyrat si duhet reflektuar ky kujdes dhe deri në orientimet e duhura që do të jepen nga specialistë dhe ekspertët, të cilët do të jenë prezent, qoftë me pajisje, ashtu dhe me shpjegimin e metodat më të avancuara të teknologjisë.

Ndërkohë, në ditën e parë të panairit u organizua konferenca shkencore me temë: “Të gjithë së bashku për një shërbim cilësor në funksion të pacientit”, ku merrnin pjesë mjekë, infermierë dhe studentë. Në konferencë u trajtuan një sërë temash të ndryshme mjekësore si: “Një ditë e bukur për diabetikët-barnat e reja mbrojnë veshkën dhe zemrën”; “Infeksioni HIV dhe Co-infeksionet me virusin B dhe C në Shqipëri” dhe tema të tjera.

Panairi i cili do të qëndrojë i hapur deri më datën 2 nëntor përveç qytetarëve pritet të vizitohet nga drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përfaqësues të institucioneve të tjera shëndetësore dhe studentë.

Institucionet, kompanitë dhe subjektet që do të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre mjekësore në panair synojnë edhe ndërgjegjësimin mbi cilësinë e kujdesit shëndetësor, me qëllim përmirësimin e rezultateve mbi shëndetin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın