Fatjon Cuka
22 Mars 2021•Përditësim: 22 Mars 2021
Në Shqipëri është kremtuar Dita e Nevruzit, që shënohet si festë zyrtare, duke u organizuar aktivitete dhe ceremoni të ndryshme në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia qendrore tradicionale është organizuar në selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, me një pjesëmarrje të kufizuar të qytetarëve për shkak të masave kundër koronaviursit të ri (COVID-19).
Gjatë aktivitetit, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti besimtarët duke përcjellë mesazhet e urimet për Ditën e Nevruzit.
Selinë e Kryegjyshatës e kanë vizituar besimtarë bektashi, ndërkohë zyrtarë të lartë dhe personalitete nga fusha të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit, si presidenti Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama.
"Një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel bashkë me rigjallërimin e natyrës", ka shkruar Meta në mesazhin e tij të publikuar në rrjetet sociale.
Edhe kryeministri Rama në rrjetet sociale ka uruar besimtarët bektashi për këtë festë.
"Kryetari Ruçi ka uruar besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, për këtë ditë të shënuar", thuhet në njoftimin e Kuvendit të Shqipërisë për mesazhin e kryeparlamentarit Ruçi.
Përveç në Tiranë, aktivitete me rastin e kësaj feste janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Kjo festë simbolizon ditën e ripërtëritjes që përkon edhe me ardhjen e stinës së pranverës, ndërkohë kremtohet edhe në disa vende të tjera në botë.