Agim Sulaj
22 Mars 2021•Përditësim: 23 Mars 2021
Diplomati britanik i karrierës, ambasadori Michael Davenport, ka marrë detyrën e shefit të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga OSBE, ambasadori Davenport ka përvojë të gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ka shërbyer si Ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Serbi nga viti 2013 deri 2017 dhe si Ambasador Britanik në Serbi nga viti 2010 deri në 2013.
“OSBE-ja ofron mbështetje të shkëlqyeshme për të drejtat e njeriut, demokratizimin dhe sigurinë publike në Kosovë. Është privilegj të udhëheqësh një ekip të fortë që sjell ekspertizë dhe përvojë të jashtëzakonshme në të gjitha këto fusha. E mirëpres punën në partneritet me të gjitha palët e interesit për zbatimin e mandatit të Misionit,” tha ambasadori Davenport.
Mes viteve 2007 dhe 2010 Davenport ka shërbyer si Drejtor për Rusinë, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore në Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa nga viti 2017 ai ka shërbyer si Ambasador Britanik në Kuvajt.
Ambasadori Davenport, një avokat i kualifikuar britanik dhe diplomat, ka përvojë në mbikëqyrjen e programeve në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të pakicave dhe qeverisjes së mirë. Ai është shefi i tetë me radhë i Misionit të OSBE-së në Kosovë që nga themelimi në vitin 1999 dhe e pason Ambasadorin Jan Braathu nga Norvegjia.