Shqipëri, besimtarët e krishterë kremtojnë Krishtlindjet
Meshat qendrore janë mbajtur në Katedralen Katolike "Shën Pali" dhe në Katedralen Ortodokse në Tiranë
Tiranë
Besimtarët e krishterë në Shqipëri kremtojnë sot Krishtlindjet, ku në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit janë mbajtur meshat tradicionale dhe aktivitete të tjera, raporton Anadolu.
Meshat qendrore janë mbajtur në Katedralen Katolike "Shën Pali" dhe në Katedralen Ortodokse në Tiranë.
Ndërkohë, mesha dhe ceremoni janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e besimtarëve, klerikëve dhe personaliteteve të ndryshme.
Me rastin e festës së Krishtlindjeve, zyrtarët e lartë të Shqipërisë dhe politikanë kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kreyparlamentari Niko Peleshi dhe kryeministri Edi Rama kanë uruar besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve.
"Krishtlindje të gëzuara, plot shpresë e begati për të gjithë miqtë tanë të krishterë. Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur", ka shkruar Begaj në rrjetet sociale.
Një mesazh urimi ka publikuar në rrjetet sociale edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi. "Gëzuar Krishtlindjen. Paqe, dritë dhe bekime në çdo shtëpi, të rrethuar nga dashuria e njerëzve më të shtrenjtë", ka shkruar Peleshi.
Festa e Krishtlindjeve në Shqipëri shënohet si festë zyrtare.
