Admir Fazlagikj
10 Maj 2019•Përditësim: 11 Maj 2019
Policia e Maqedonisë së Veriut ka kryer një aksion për shkatërrimin e një grupi të organizuar kriminal që organizonte tregti të drogës në Shkup dhe në qytete tjera të vendit, gjatë të cilit është gjetur sasi e konsiderueshme e drogës, armë, para dhe sende tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tre persona janë ndaluar, ndërsa policia po kërkon edhe një person të katërt. Kundër tyre është parashtruar fletëdenoncim penal për shkak të ekzistimit të dyshimit se kanë kryer veprën penale “prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
“Mbrëmë nga ana e Drejtorisë për Siguri Publike-Departamenti për Asgjësimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz dhe Departamenti për Polici Kriminalistike, në bashkëpunim me Departamentin për Operacione Speciale pranë MPB-së, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Publike (PTHP) për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, realizoi një aksion me qëllim shkatërrimin e grupit të organizuar kriminal i përfshirë në organizimin për furnizim të drogës narkotike-kokainë, dhe shpërndarjen dhe shitjen e saj nëpër më shumë lokacione në Shkup dhe në qytete tjera në shtet”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Në kumtesë më tej thuhej se hetimi voluminoz kriminalistik është zbatuar në tre muajt e kaluar kurse qëllimi ishte shkatërrimi i grupit kriminalistik të organizuar katër anëtarësh nga Shkupi.
“Grupi ishte i identifikuar si grup i organizuar kriminal me përcaktim të rreptë hierarkik, i cili merrej me furnizim të kokainës në sasi më të madhe, e cila ripaketohej, përzihej dhe u shitej shfrytëzuesve në territorin e qytetit të Shkupit”, thuhet në kumtesë.
Sipas MPB-së, është vërtetuar se grupi kriminal gjatë punës së tij kryente veprime korruptive për marrjen e informatave për masat të cilat i ndërmerr MPB-ja ndaj anëtarëve të grupit, si dhe për marrjen e informatave të vlefshme për procedura konkrete gjyqësore të cilat janë ngritur kundër tyre.
“Përmes shitjes së kokainës, këta persona kanë fituar shuma të mëdha të parave, të cilat i kanë investuar në blerjen e automjeteve luksoze, banesave dhe shtëpive. Është dokumentuar se ky grup gjatë veprimit të tij ka përdorur dhunë dhe kërcënime ndaj personave shfrytëzues të kokainës, të cilët me kohë nuk kanë bërë pagesën për kokainën e marrë”, informojnë nga MPB.
Gjatë zbatimit të hetimit kriminalistik, janë siguruar numër i madh i dëshmive materiale dhe janë dokumentuar një numër i madh i shitblerjeve të kokainës ndaj menaxherëve në kafeteri të ndryshme, klube nate dhe restorante, avokatëve, drejtorëve, bankierëve dhe të punësuarve në administratën publike, gjatë së cilës nga liria janë privuar 12 persona.
Në kontekst të kësaj, kurse në kuadër të hetimeve janë parashtruar dy fletëdenoncime penale deri te PTHP-Shkup dhe PTHP-Kumanovë kundër dy personave nga të cilët njëri është i punësuar në Drejtorinë e Doganave në pozicion të lartë, për kryerjen e veprës penale ”prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
Operacioni filloi në momentin kur lideri i grupit kriminal ka tentuar të braktisë shtetin, ndërsa u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup, me sasi të madhe të parave. Gjithashtu nga liria janë privuar edhe dy persona anëtarë të grupit, kurse pas njërit po gjurmohet.
Njëri nga anëtarët e grupit u privua nga liria gjatë natës në përpjekje për ikje nga shtëpia e tij.
Nga bastisjet e bëra janë gjetur dhe përkohësisht janë konfiskuar: një sasi e konsiderueshme e kokainës, para (6.300 franga zvicerane, 150 dollarë amerikanë, 150 euro dhe 28.500 denarë), pesë automjete luksoze (marka Jaguar, BMW, Audi A8, Shevrolet Kalos dhe Seat Altea), një pistoletë e llojit “Karl Vater”, dy pushka dhe 52 plumba të kalibrit të ndryshëm, më shumë telefona celularë, dy pancirë, dy peshore digjitale, mbajtës për sim-kartela, dy USB dhe dokumente për automjete. Sasia dhe cilësia e kokainës së gjetur e të konfiskuar do të vërtetohet me ekspertizë tekniko-kriminalistike.