Dzihat Aliju
23 Korrik 2023•Përditësim: 24 Korrik 2023
Në Shkup është mbajtur një program për promovimin e revistës së Letërsisë, Mendimit dhe Kulturës "Bağ-lar", që botohet nën kujdesin e Kryesisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), raporton Anadolu.
Në aktivitetin që u mbajt në Kurshumli An në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, morën pjesë kreu i YTB-së, Abdullah Eren, dhe delegacioni shoqërues, ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike Turke (TDP), Beycan İlyas, kryetari i partisë Lëvizja për Bashkim Kombëtar të Turqve (TMBH), Erdoğan Saraç, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.

Të ftuarit fillimisht e vizituan ekspozitën e fotografive me temë Ballkani nga Albumi Yıldız i Sulltanit Abdylhamidi i Dytë.
Ndërkaq, më pas, artisti nga Shkupi Cengiz Ibrahim shfaqi një koncert, ndërsa u shfaq edhe një video promovuese për revistën.

Kreu i YTB-së Eren në fjalën e tij foli rreth marrëdhënies së Shtetit Osman me Ballkanin.
Duke tërhequr vëmendjen se në fillim të viteve 2000 në politikën e jashtme turke është shkuar në një ndryshim paradigmatik, Eren tha se Türkiye në marrëdhëniet e saj me fqinjët ka hedhur hapa më realiste dhe konkrete.
Në 20 vitet e fundit, sipas tij, nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, në marrëdhëniet me Ballkanin është bërë një përparim i madh. "Marrëdhëniet tona me vendet e rajonit në fushën politike, ekonomike, kulturore dhe në të gjitha fushat janë ngritur në nivele të larta", tha ai.
Ai tërhoqi vëmendjen se shumë institucione si YTB, TIKA, Instituti Yunus Emre, Fondacioni Maarif, Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve, Ministria e Jashtme si dhe organizatat joqeveritare nga Türkiye kanë punuar shumë për të lehtësuar mes Türkiye dhe Ballkanin.
"Sot shohim se Türkiye është një vend që siguron besim dhe paqe, që është një nga nevojat më themelore për stabilitetin dhe paqen e Ballkanit, me politikën e saj të jashtme dhe politikën ballkanike", theksoi Eren.

Ai tha se me programet e tyre të Bursat e Türkiyes presin çdo vit qindra studentë nga rajoni.
Duke folur edhe për revistën "Bağ-lar", ai tha se të rinj shqiptarë, boshnjakë, maqedonas po shkruajnë artikuj në gjuhën turke, ndërsa ditëve të fundit kanë organizuar programe për promovimin e revistës në vendet e rajonit.
Ambasadori Sekizkök, nga ana e tij, tha se Ballkani ndër shekuj është stolisur me kulturën dhe artin turk, turqishten dhe traditat turke.

Sekizkök u shpreh se në numrin e tretë të revistës, shkrimtarë të rinj nga anembanë Ballkanit kanë trajtuar temën e "shtëpisë", duke theksuar se "Fjala shtëpi ka edhe konotacione trishtuese për njerëzit e kësaj gjeografie, sepse nga fillimi i shekullit të 20-të, fillimisht turqit në Rumeli, pastaj boshnjakët dhe shqiptarët, lanë shtëpitë dhe atdheun e tyre dhe u vendosën në Türkiye".
Duke folur edhe për arsimimin në gjuhën amtare turke në Maqedoninë e Veriut, që është një e drejtë kushtetuese, ambasadori turk tërhoqi vëmendjen se ka ende rajone që nuk mund të shfrytëzojnë këtë të drejtë. "Presim që të plotësohen kërkesat për hapjen e paraleleve turke këtu", u shpreh ai.
Ai gjithashtu falënderoi kontribuesit e revistës "Bağ-lar", pasi ajo, sipas ambasadorit Sekizkök, krijon një mjedis të bukur që mbështet takimin e shkrimtarëve të brezit të vjetër dhe të ri dhe mundëson mbijetesën e kulturës dhe gjuhës turke.
Berru Emin, një nga anëtaret e bordit redaktues të revistës dhe shkrimtare, informoi të pranishmit rreth punimeve të tyre.
Ndërkohë, gjatë ditës gjithashtu është mbajtur një panel i titulluar "Letërsia turke në Ballkan" me pjesëmarrje të shkrimtarëve nga vendet e rajonit.