Furkan Abdula
16 Korrik 2019•Përditësim: 17 Korrik 2019
Në Kalanë e Shkupit sot u organizua programi tradicional i synetit të 300 fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Programi u organizua në bashkëpunim të Komunës së Bursës, Komunës së Çairit dhe Shoqatës Humanitare El-Hilal.
Ceremonia filloi me leximin e Kur’anit dhe vazhdoi me shfaqjet e grupeve të ndryshme folklorike.

Zëvendës Kryetarja e Komunës së Bursës, Gülten Kapıcıoğlu, në fjalimin e saj gjatë ceremonisë, tha se vlerat e përbashkëta qëndrojnë në bazën e lidhjeve të forta të cilat i kanë vendosur me vendet e Ballkanit.
Ajo tha se në kuadër të këtij aktiviteti i cili tashmë është shndërruar në një organizim tradicional, janë duke bërë synetimin e fëmijëve nga Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova.

"U dëshiroj një jetë me shëndet, lumturi dhe qetësi fëmijëve tanë bashkë me familjet e tyre", u shpreh Kapıcıoğlu.
Ndërsa kryetari i Shoqatës Humanitare El Hilal, Behixhudin Shehabi, tha se bëjnë çdo përpjekje për të ruajtur vlerat të cilat i kanë trashëguar me shekuj në këto toka.
Ai tregoi se me komunën e Bursës zhvillojnë shumë aktivitete të ndryshme përfshirë edhe aktivitete për jetimë gjatë 16 viteve të fundit. "Ne me shekuj nuk heqim dorë nga vlerat prezente në këto tokë", tha ai.