BALLKANI

Shkup, në ITSHKSH hapet departamenti i trashëgimisë së Nënë Terezës

Ky departament do të funksionojë në kuadër të sektorit të veprimtarisë hulumtuese shkencore të ITSHKSH-së dhe do të merret me hulumtimin dhe studimin e jetës dhe veprës së kësaj figure të lartë të njerëzimit

Abdulbesar Ademi  | 07.02.2020 - Përdıtësım : 10.02.2020
Shkup, në ITSHKSH hapet departamenti i trashëgimisë së Nënë Terezës ( Husamedın Gına - Anadolu Agency )

Shkup

Në hapësirat e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarë në Shkup (ITSHKSH) sot në praninë e zyrtarëve qeveritarë, përfaqësuesve të korit diplomatik, të komunitetit katolik në vend e në rajon, si dhe të hulumtuesve e studiuesve është mbajtur ceremonia e hapjes së Departamentit të trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Terezë, raporton Anadolu Agency (AA).

Departamenti i trashëgimisë së Nënë Terezës do të funksionojë në kuadër të sektorit të veprimtarisë hulumtuese shkencore të ITSHKSH-së dhe do të merret me hulumtimin dhe studimin e jetës dhe veprës së kësaj figure të lartë të njerëzimit.

Ndër të pranishmit në ceremoninë e hapjes ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, i cili në fjalën e tij tha se si popull dhe drejtues të institucioneve të vendit e kanë për detyrë që në vendlindjen e Gonxhe Bojaxhiut në Shkup ta nderojnë dhe ta çmojnë figurën e lartë të Nënës Terezë.

“Shkupjanja Gonxhe Bojaxhiu është shquar për dashurinë e saj të madhe, për bamirësinë e pashtershme, për përkujdesjen e pashoq ndaj qindra mijëra njerëzve të varfër. Ajo ashtu e fitoi afirmimin dhe admirimin e vet nga gjithë njerëzimi dhe u titullua si nëna e dashurisë, paqes dhe humanizmit”, deklaroi Ademi.

Ademi po ashtu përmendi se emrin Nënë Terezë në vend e mbajnë edhe shumë rrugë, institucione shëndetësore dhe arsimore në nder të veprave të Gonxhe Bojaxhiut.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, nga ana e tij, tha se Nënë Tereza mbetet simbol shembullor që mbeti vazhdimisht e zgjatur drejt kauzave që ajo i ndërtoi duke vendosur me çdo kusht vetveten në qendër të vëmendjes, por duke orientuar vëmendjen e gjithë botës nga “skutat më të padukshme të vuajtjeve njerëzore”.

“Për Nënën Terezë janë shkruar libra, janë bërë filma dhe janë zhvilluar mijëra veprimtari që lartësojnë figurën e saj, mirëpo kjo që po bëjmë ne sot mund të konsiderohet ndërmarrja më kuptimplotë jo sepse për herë të parë në botë po themelohet një departament që merret ekskluzivisht me jetën dhe veprën e saj, por edhe për faktin se tash e tutje studimi dhe hulumtimi i rinisë, i përkatësisë fetare dhe familjare, si dhe impakti në botë i kësaj figure kolosale do të bëhet me një përkushtim të veçantë shkencor nga ana e një institucioni siç është ITSHKSH, që si pikë referimi ka vlerat e civilizimit perëndimor dhe bashkëjetesën me kulturat dhe traditat tona”, deklaroi Asani.

Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht 1910, i cili në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Osmane, dhe vdiq në Kalkuta të Indisë më 5 shtator 1997. Ajo ishte misionare katolike me origjinë shqiptare e lindur me emrin Agnes Gonxhe Bojaxhiu.

Nënë Tereza themeloi Misionarët katolikë të komunitetit bamirës në Kalkutë në vitin 1950 duke qëndruar mbi 45 vjet në shërbim të varfërve, të sëmurëve dhe jetimëve. Ishte fituese e Çmimit Nobel për paqe, ndërsa në vitin 2016 Papa Françesku i Vatikanit e shpalli atë të shenjtë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.