Në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut është mbajtur programi promovues i platformës digjitale të lajmeve të transmetuesit publik të Türkiye-s (Turqi) "TRT Balkan", raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin që u zhvillua në ambientet e Kurshumli Anit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit morën pjesë ambasadori i Türkiye-s në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, kryetari i Bordit Drejtues të TRT-së, Ahmet Albayrak, drejtori gjeneral i TRT-së, Mehmet Zahid Sobacı, zëvendësdrejtorët gjeneral të TRT-së, Ömer Faruk Tanrıverdi, Muhammed Ziyad Varol, Fethi Fahri Kaya dhe Mustafa Malkoç, si dhe politikanë, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.
Në kuadër të programit u shfaqën videot promovuese si dhe intervistat e realizuara nga TRT Balkan.
Në fjalimin e tij, Sobacı shprehu kënaqësinë që ndodhet në Shkup, në tokat e, siç tha ai, "Evladı Fatihan" (pasardhësit e çliruesve), në Rumelinë që e kanë afër zemrës. Ai theksoi se marrëdhënia e fortë midis Türkiye-s dhe rajonit të Ballkanit, veçanërisht Maqedonisë së Veriut, përbëhet nga një lidhje e fortë shpirtërore.
Sipas tij, Türkiye në çdo rast tregon se me veprat dhe diskurset e saj në Ballkan i jep prioritet zhvillimit, prosperitetit dhe paqes së rajonit.
"Si TRT, edhe ne në vitin 2015 me hapjen e përfaqësisë sonë në Shkup, vazhdojmë praninë e korporatës tonë në rajon me botëkuptimin e transmetimit publik. TRT, si zëri i Republikës së Türkiye-s, botës turke, gjeografisë tonë shpirtërore dhe të injoruarve, ndiqet me interes dhe vëmendje nga turqit, trashëgimia osmane në Ballkan, si dhe nga popujt tjerë vëllazëror", tha ai.

Ai tha se TRT është zë dhe frymë nga atdheu, për bashkatdhetarët e tyre, të cilët janë pjesë e mozaikut etnik dhe pasurisë kulturore të Ballkanit, duke njoftuar se po bëjnë çmos që ky besim i treguar ndaj institucionit të tyre të mos mbetet i pashpërblyer me transmetimet e tyre.
Sobacı tha se me anë të kanaleve të tyre televizive si TRT Haber, TRT Avaz dhe TRT Türk, përveç sjelljes së lajmeve nga rajoni në ekrane, me përmbajtje të ndryshme si dokumentarë, programe udhëtimi, seriale dhe filma specifikë për Ballkanin, kontribuojnë gjithashtu edhe në prezantimin e rajonit në botë.
"Transmetimeve të TRT-së që po i vazhdon në 41 gjuhë dhe dialekte, përfshirë edhe ato të rajonit, i shtojmë një dimension të ri tani duke ia shtuar edhe platformën tonë digjitale të lajmeve TRT Balkan. Me anë të hapjes që mbajtëm në Ankara javën e kaluar, platforma jonë digjitale e lajmeve TRT Balkan i tha 'Përshëndetje' jetës transmetuese. Besoj se me TRT Balkan-in lidhjet mes nesh do të forcohen dhe një frymë e re do të vijë në fushën e gazetarisë në rajon. TRT Balkan, përveç të qenurit një zë i brendshëm me transmetimet e saj në gjuhët ballkanike, do të jetë edhe dritarja e re e rajonit që hapet drejt Türkiye-s dhe botës. Platforma jonë do të ndiqet edhe nga qindra mijëra emigrantë rumelianë që lanë një pjesë të zemrës së tyre këtu dhe migruan në Anadoll dhe ndjekin me interes Ballkanin", theksoi drejtori gjeneral i TRT-së
Mes tjerash, Sobacı tha se Ballkani është një rajon që ka përfaqësuar jetesën vëllazërore ndër shekujsh dhe se në Shkup, qytetin e lashtë të Ballkanit, jetojnë së bashku turqit, maqedonasit, shqiptarët dhe boshnjakët.
"TRT Balkan që transmeton në maqedonisht dhe shqip, boshnjakisht, kroatisht, serbisht, besoj se me lajmet speciale dhe përmbajtje unike do të pasqyrojë njohuritë dhe përvojën e TRT-së dhe do të bëhet pionier në mesin e mediave ballkanike në transmetimet digjitale. TRT Balkan do të kontribuojë në marrëdhëniet tona të forta politike, tregtare, arsimore dhe kulturore midis vendeve tona duke krijuar një urë informimi. Do të mbështesë luftën kundër dezinformimit, i cili është problemi më i madh me të cilin përballet sot media. Do të jetë përfaqësuesi i gazetarisë së TRT-së në rajon, që ndjek të vërtetën dhe përpiqet të japë të vërtetën në mënyrë të shpejt", tha Sobacı, duke shtuar se në përputhje me këtë diversitet, ata e përjetësuan TRT Balkan-in duke i përfshirë gjuhët e rajonit.
"Türkiye, nën udhëheqjen e presidentit tonë ka vazhduar mbështetjen e saj për vendet e Ballkanit në çdo fushë"
Ambasadori Sekizkök, nga ana e tij, tha se janë bërë bashkë për të festuar përcjelljen e njohurisë, përvojës dhe cilësisë së TRT-së, që është një markë botërore, në fushën e gazetarisë dhe transmetimit në Ballkan me një përparim të ri.
Duke theksuar se ai po flet nga Shkupi i lashtë i Maqedonisë së Veriut, zemra e Ballkanit, ku ata vazhdojnë të mbajnë gjallë vëllazërinë, afërsinë dhe miqësinë e tyre për shekuj, ambasadori turk u shpreh se, "Lidhjet tona njerëzore dhe kultura e përbashkët, të cilat gjatë historisë kanë qenë burim i pasurisë së madhe në jetën shoqërore të Ballkanit dhe të popujve të kësaj gjeografie, do të na lidhin së bashku edhe në të ardhmen. Në këtë drejtim, Türkiye, nën udhëheqjen e presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan), ka vazhduar mbështetjen e saj për vendet e Ballkanit në çdo fushë, ka qenë unifikues dhe ka treguar se qëndron pranë vëllezërve të saj në këto vende".
Duke theksuar se jetojnë në një periudhë ku ndodhin ndryshime më të mëdha dhe më të shpejta se sa të gjitha kohërat, Sekizkök tha se Türkiye gjatë kësaj periudhe ka qenë pioniere e shumë risive në sektorë të ndryshme përfshirë mbrojtje, shëndetësi dhe industri elektronike.
Sipas tij, TRT, një nga institucionet e rrënjosura të Türkiye-s, ka bërë një risi të madhe në fushën e saj.
"Ka hapur një derë të re që u ofron popujve ballkanikë gazetari të shpejtë dhe të pasur në gjuhët ballkanike. TRT Balkan, në këtë mënyrë, i ka shtuar një ngjyrë të re dhe një frymë të freskët klimës multikulturore të Ballkanit. Përgëzoj sinqerisht drejtuesit e TRT-së dhe komunitetin e TRT-së për këtë mundësi të ofruar", tha ambasadori turk.
Pas fjalimeve, u mbajt një koncert me këngë ballkanike.
Platforma e re digjitale e lajmeve TRT Balkan, e cila filloi transmetimin me qëllim që të mbulojë zhvillimet rreth njerëzve të rajonit dhe çështjet që prekin rajonin në shkallë globale, do të transmetohet në gjuhët maqedonase, shqipe, boshnjake, kroate dhe serbe.
TRT Balkan do të adresojë mbi 30 milionë audiencë që flasin gjuhët rajonale.