Shkup
Në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë së Veriut është mbajtur koncerti "Dy Kultura-Një Ritëm", raporton Anadolu.
Koncerti u organizua në Sallën e Filarmonisë në bashkëpunim të Institutit Yunus Emre - Shkup (YEE) dhe Qendrës Shtetërore për Arsim Muzikor dhe Balet "Ilija Nikollovski-Luj", me mbështetjen e Komunës Başakşehir dhe Halkbank.
Në koncert morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, përfaqësues të institucioneve turke dhe vendore, si dhe shumë të ftuar.
Drejtori i YEE-së në Shkup, Yunus Dilber, në fjalën e tij falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e këtij koncerti.
Duke rikujtuar se nxënësit mësuan instrumentet gjatë një procesi intensiv tre-mujor, Dilber tha: "Sot do të na dhurojnë një mbrëmje shumë të bukur të muzikës maqedonase-turke".
Koordinatorja e Departamentit të Muzikës dhe Vallëzimit Tradicional në Qendrën Shtetërore për Arsim Muzikor dhe Balet "Ilija Nikollovski-Luj", Gordana Tasevska, tha se koncerti është një ide e lindur nga dëshira për të hulumtuar dhe ndarë vlerat e përbashkëta të kulturave të ndryshme përmes traditës folklorike.
Pas fjalimeve, u interpretuan këngë turke dhe maqedonase si dhe valle popullore nga nxënësit dhe mësuesit e Departamentit të Muzikës dhe Vallëzimit Tradicional të Qendrës Shtetërore për Arsim Muzikor dhe Balet "Ilija Nikollovski-Luj".
Artistja nga Maqedonia e Veriut, Elena Hristova, gjithashtu interpretoi këngë popullore të dashura së bashku me studentët në kuadër të koncertit.
Koncerti u realizua në kuadër të punëtorisë "Dy Kultura-Një Ritëm", e mbështetur nga YEE, e cila u zhvillua në muajin tetor me pjesëmarrjen e studentëve dhe mësuesve të Qendrës Shtetërore për Arsim Muzikor dhe Balet.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
