Abdula Berisha
18 Nëntor 2019•Përditësim: 18 Nëntor 2019
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka filluar “Forumi i ministrave për drejtësi dhe punë të brendshme të Bashkimit Evropian (BE) – Ballkani Perëndimor", i cili zhvillohet në kuadër të presidencës finlandeze me Këshillin e BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Renata Deskoska, shprehu kënaqësinë që vendi është nikoqir i forumit dyditor, duke sqaruar se në ditën e parë të forumit diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë ndërsa nesër në axhendë janë temat nga sektori i punëve të brendshme.
Në kuadër të forumit ministror, në Maqedoninë e Veriut mes tjerash qëndrojnë Vera Jourova, komisionerja evropiane e drejtësisë, konsumatorëve dhe barazisë gjinore si dhe Dimitris Avramopoulos, komisioneri i evropian i migracionit, punëve të brendshme dhe shtetësisë.
Ministrja Deskoska tha se është e kënaqur që vendi është nikoqir i forumi ministror "veçanërisht pas mosmarrjes së datës për fillim të bisedimeve me BE-në", vendim i cili doli nga takimi i Këshillit të BE-së të mbajtur muajin e kaluar.
"Temat që do të diskutojmë sot janë tema që lidhen me reformën në drejtësi në vendet e Ballkanit Perëndimor, sundimin e ligjit, kushtet nëpër burgje dhe ajo që nënkupton reformën zgjedhore në drejtim të sigurimit të zgjedhjeve fer dhe demokratike", tha Deskoska.
Duke folur për pritjet nga takimi, Deskoska tha se pret që të riafirmohet angazhimi i vendit për eurointegrimet si dhe ky angazhim të konfirmohet nga përfaqësuesit e BE-së dhe të hapet mundësia për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.
"Unë pres që edhe një herë do të marrim njohje për reformat që janë bërë në fushën e drejtësisë të cilat u shprehën si mirënjohje në takimin e fundit. Të gjithë e kemi të qartë që mosfillimi i bisedimeve është për shkak të debateve të brendshme që i ka BE-ja, por sigurisht që është shumë e rëndësishme që komisionerët evropianë, ministrja finlandeze nën kryesinë e së cilës po zhvillohet ky takim si dhe përfaqësuesit tjerë të BE-së të kuptojnë rëndësinë e hapjes së negociatave për shtetin tonë", tha Deskoska.
Më vonë gjatë ditës, është paraparë të mbahet edhe një konferencë për media nga dita e parë e forumit ministror.