Shënohet Dita e Çlirimit të Prishtinës
Dita e Çlirimit të Prishtinës është ditë manifestimi për të kujtuar 11 qershorin e vitit 1999 kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) hynë në Prishtinë

Prishtinë
Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka parakaluar dhe performuar në sheshet e kryeqytetit kosovar me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, raporton Anadolu Agency (AA).
Dhjetëra trupa të FSK-së kanë nisur parakalimin e tyre nga Sheshi “Skënderbeu” ndërsa janë ndalur tek sheshi “Zahir Pajaziti” ku kanë interpretuar me instrumente muzikore himnin shtetëror të Kosovës si dhe melodi tjera kombëtare.
Numër i madh i qytetarëve kanë dalë që ta përcjellin këtë performancë. Përderisa për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri (COVID-19), aktivitetet për nder të kësaj dite kanë qenë më të kufizuara se viteve të kaluara.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për nder të 11 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Prishtinës ka bërë homazhe në mëngjes tek varrezat e dëshmorëve të luftës në kryeqytet. Ndërsa pas homazheve si zakonisht ka ndarë çmimin “Çelësi i Qytetit”, i cili këtë vit është ndarë për këngëtarin, i cili është i njohur me këngët e tij për Prishtinën, Sabri Fejzullahu.
Gjithashtu për nder të kësaj dite edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë në mëngjes homazhe tek shtatorja e heroit të popullit, Zahir Pajaziti.
Dita e Çlirimit të Prishtinës është ditë manifestimi për të kujtuar 11 qershorin e vitit 1999 kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) hynë në Prishtinë. Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi Marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor në Kumanovë në mes forcave të NATO-së dhe Republikës Federale të Jugosllavisë. Me këtë marrëveshje, Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.