BALLKANI

Ramush Haradinaj sot duhet të niset për në Hagë

“Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë”, shkroi Haradinaj

Zülfiya Yakup  | 23.07.2019 - Përdıtësım : 24.07.2019
Ramush Haradinaj sot duhet të niset për në Hagë

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës në dorëheqje Ramush Haradinaj duhet të niset sot në Hagë për t’iu përgjigjur ftesës për intervistim si i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj pikërisht për këtë shkak të premten dha dorëheqje të parevokueshme ndërsa shkroi se luftëtarët e lirisë gjithmonë kanë qenë në pajtim me të drejtën.

“Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë”, shkroi Haradinaj.

Ai theksoi se “Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues”, duke shtuar se “Por, tregun e japim vetëm për njohje”, duke aluduar për taksën prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe BeH-së.

“Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!”, përfundoi Haradinaj.

Haradinaj, i cili ka qenë komandant i Zonës Operative të UÇK-së për Dukagjin, në Gjykatën e Hagës dy herë u gjykua për krime lufte dhe dy herë u lirua.

Ftesë për intervistim nga Dhomat e Posaçme të Kosovës ka marrë edhe anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-zëdhënës, Jakup Krasniqi.

Jakup Krasniqi, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, mori ftesë nga Dhomat e Posaçme në Hagë që të paraqitet në intervistim të mërkurën, më 24 korrik të vitit 2019.

Krasniqi nuk theksoi se në çfarë cilësie është ftuar për intervistim, por tha se do të paraqitet në gjykatë në çfarëdo cilësie, pa marrë parasysh bindjes së tij se Gjykata Speciale është konceptuar në Beograd me shpifje dhe gënjeshtra me qëllim të kompromitimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, që nga janari i vitit 2013, kur Prokuroria e Specializuar e Kosovës me seli në Hagë ka filluar të dërgojë ftesa për intervistime, rreth 40 persona, ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë thirrur deri tani.

Dhomat e Posaçme të Kosovës kanë një mandat dhe juridiksion në lidhje me krime të caktuara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale nën ligjin e Kosovës që pretendohet se janë kryer ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.

Dhomat e specializuara kanë selinë në Hagë të Holandës, në të cilën do të punojnë gjyqtarët, prokurorët dhe personeli tjetër ndërkombëtar. Të pandehurit do të gjykohen në Hagë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.