Fatjon Cuka
13 shkurt 2023•Përditësim: 13 shkurt 2023
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur në një takim kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit nga Kryeministria e Shqipërisë, kryeministri Rama e vlerësoi vizitën e kryeministrit bavarez si një moment të rëndësishëm, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bavarisë "për thellimin e bashkëpunimit, përmes shfrytëzimit sa më të mirë të potencialeve që ekzistojnë mes vendeve, në fusha të ndryshme".
"Homologët dakorduan se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bavarisë, kanë njohur zhvillime të rëndësishme gjatë këtyre 3 dekadave, si në planin politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor.
Kryeministri Rama i shprehu Kryeministrit bavarez Söder mirënjohjen, në emër të qeverisë shqiptare për mbështetjen e vendosur që "Bavaria dhe personalisht kryeministri Söder si lider i CSU-së në Bavari, i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, si në Bundestag, ashtu edhe në të shkuarën për shumë vite në koalicionin qeverisës", thuhet në njoftim
Sipas njoftimit, Rama dhe Söder theksuan në takim, mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe diskutuan mënyrat e një angazhimi më konkret në kuadër të këtij procesi.
Pas takimit, kryeministri Rama dhe kryeministri i Bavarisë firmosën disa marrëveshje të përbashkëta, qëllimi i së cilave sipas njoftimit është ngritja e mekanizmave të përshtatshme, të cilat do të identifikojnë dhe ndihmojnë në implementimin e projekteve konkrete në fusha të tilla si energjia, infrastruktura, turizmi, tregtia, bujqësia, mjedisi dhe shëndetësia.