BALLKANI

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se ligji parashikon instrumente për zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve konsumatore

Abdula Berisha  | 21.06.2022 - Përdıtësım : 22.06.2022
Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit

Shkup

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, në një konferencë për media informoi se me propozim të ministrisë që ai drejton, Qeveria miratoi Ligjin e ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas ministrit Bekteshi, qëllimi kryesor i politikës për mbrojtjen e konsumatorit është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve dhe mbrojtja e kategorive të rrezikuara të qytetarëve.

Bekteshi tha se si rezultat i analizës së tregut, lindi nevoja për krijimin e një kuadri ligjor bashkëkohor.

“Ky ligj nga njëra anë siguron një nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorit dhe në të njëjtën kohë garanton kushte më të lehta për të bërë biznes”, tha ai.

Ai gjithashtu tha se ligji është plotësisht në përputhje me rregulloret evropiane dhe se rregullon të drejtat dhe detyrimet e konsumatorëve dhe tregtarëve, mënyrat dhe procedurat për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, si dhe informimin dhe avancimin e njohurive të konsumatorëve për të drejtat e tyre.

Bekteshi theksoi se ligji parashikon instrumente për zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjeve konsumatore.

“Ajo që është e re dhe thelbësore në këtë zgjidhje është se ajo prezanton, përkatësisht u kushton vëmendje të veçantë praktikave të pandershme tregtare, praktikave mashtruese tregtare dhe praktikave agresive tregtare në shitjen e mallrave dhe shërbimeve”, tha Bekteshi.

Ai shtoi se konsumatorët të cilëve u janë shkelur të drejtat kanë të drejtë për kompensim, ulje proporcionale të çmimit apo ndërprerje të kontratës, ndërsa tregtarët përballen me gjoba, sanksione ose ndalim të funksionimit të biznesit.

Bekteshi theksoi se varësisht nga madhësia e kompanisë, gjobat variojnë nga 500 deri në 10 mijë euro, ndërsa gjobat për sipërmarrësit individualë janë më të ulëta.

Për të hyrë në fuqi, Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorëve duhet të miratohet nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.