Agim Sulaj
28 Maj 2021•Përditësim: 28 Maj 2021
Pas rënies së numrit të rasteve të reja të infektimeve dhe viktimave nga koronavirusi i ri (COVID-19), Qeveria e Kosovës ka miratuar masa të reja lehtësuese të cilat përfshijnë heqjen e orës policore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përpos orës policore, sektori i gastronomisë do të lejohet të punojë deri në ora 11 të mbrëmjes ndërsa do të lejohet edhe lëvizja pa maska gjatë ecjes për qytetarë që janë të vetëm dhe në ambiente të jashtme.
Nëpërmjet një konference për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se situata epidemiologjike ka shënuar rënie për rreth 67 për qind.
Vitia tha se në një situatë të tillë Qeveria cakton masa më të lehtësuara që të mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, por njëkohësisht synojnë edhe kontrollin e përhapjes së infeksionit.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur sot për një sërë masash lehtësuese me theks të veçantë heqjen e orës policore, zgjatjen e orarit të punës për gastronominë deri në orën 11 të mbrëmjes, lejimin e lëvizjes pa maska të qytetarëve gjatë ecjes kur janë në ambiente të jashtme dhe kur janë vetëm, lejimin e hyrjes në Kosovë të personave me një rezultat pozitiv të testit për antitrupa aerologjik IGG të lëshuar më së shumti 30 ditë para mbërritjes dhe kthimin e stafit esencial në punë”, theksoi Vitia duke shtuar se ka dhe masa tjera të cilat do të publikohen më vonë.
Nga 15 qershori, nëse trendi i përmirësimit të situatës epidemiologjike vazhdon, Vitia tha se do të lejohet edhe mbajtja e ahengjeve.
Masat e miratuara sot, pritet të hynë në fuqi nga e hëna, 31 maj.
Ministri Vitia gjithashtu ka bërë të ditur se deri në fund të vitit në Kosovë do të arrijnë 1,2 milionë doza të vaksinës Pfizer, por theksoi se nuk mund të japin më shumë informata “për shkak të shumë termave të konfidencialitetit që i kemi me kompaninë Pfizer”.
Marrëveshjen me Pfizer e ka bërë të ditur edhe vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë para konferencës së ministrit Vitia.
“Posa janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme negociatat për ardhjen e vaksinave në Kosovë me ç’rast kemi blerë vaksina nga prodhuesi ‘Pfizer’ dhe tash duke iu falënderuar kësaj ne do të mund të bëjmë vaksinimin edhe përtej grupeve me prioritet dhe të shkojmë në mënyrë të sigurt drejt zotimit që të përmbyllim imunizimin e popullsisë sivjet, përkatësisht 60 për qind të qytetarëve”, ka thënë Kurti.
Autoritetet shëndetësore të Kosovës deri më tani kanë pranuar mbi 175 mijë doza të vaksinave nëpërmjet mekanizmit COVAX dhe mekanizmit të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Në Kosovë deri më sot nga 604.205 testime për COVID-19, 107.354 raste kanë rezultuar pozitiv nga të cilët 2.242 kanë vdekur ndërsa 102.519 të tjerë janë shëruar.