Besar Ademi
01 Tetor 2019•Përditësim: 02 Tetor 2019
Servisi i Anadolu Agency (AA) në gjuhën shqipe sot shënon përvjetorin e pestë që nga fillimi i publikimit të lajmeve në gjuhën shqipe.
Pesë vite më parë, më 1 tetor të vitit 2014, AA nisi publikimin e lajmeve në gjuhën shqipe, ndërsa më 9 nëntor të vitit 2015, në Shkup hapi qendrën e publikimeve.
Gjatë pesë viteve të kaluara, servisi i AA-së në gjuhën shqipe me publikimin e lajmeve nga të gjitha anët e botës, ndjekur me përmbajtje fotografish dhe videosh, ka fituar një dimension aktiv dhe më pranë mediave të hapësirës shqiptare, duke përfshirë edhe lexuesit në këtë rajon dhe më gjerë.
Me praninë e saj në rajon, servisi i AA-së në gjuhën shqipe gjatë pesë viteve ekzistencë numëron mbi 84 mijë lajme të publikuara nga Ballkani, Turqia dhe bota, prej të cilave mbi 41 mijë janë me foto galeri dhe mbi 21 mijë me video.
Ndryshe, gjuha shqipe ishte e teta që u lançua pranë këtij institucioni serioz mediatik. AA krahas gjuhës turke, shqipe dhe maqedonase, publikon lajme edhe në gjuhën angleze, arabe, BHS (boshnjake, kroate dhe serbe), ruse, frënge, kurde (dialektet Sorani dhe Kurmanji), perse, indoneze dhe spanjolle.
Për çdo ditë nga zyra e AA-së në Shkup, për abonentët dhe lexuesit ofrohen mbi 120 publikime, duke përfshirë lajme, përmbajtje fotografish dhe videosh.
Ndryshe AA është një nga dhjetë agjencitë më të mëdha në radhitjen botërore, e cila në të gjitha 13 gjuhët tejkalon 3 mijë publikime të lajmeve, fotove dhe videove.