BALLKANI

Përfundon intervistimi i Agim Çekut nga Gjykata Speciale në Hagë

Pas Çekut, sot pritet të paraqitet për herë të parë në Gjykatë Speciale edhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa

Agim Sulaj  | 28.09.2020 - Përdıtësım : 29.09.2020
Përfundon intervistimi i Agim Çekut nga Gjykata Speciale në Hagë

Prishtinë

Ka përfunduar të hënën pas rreth 3 orësh intervistimi i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Agim Çeku nga Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale me seli në Hagë të Holandës, raporton Anadolu Agency (AA).

Një gjë të tillë e ka konfirmuar avokati i të akuzuarit, Artan Qerkini për AA.

“Z.Çeku është paraqitur para Prokurorit sot me datën 28 shtator 2020. Intervistimi i tij ka përfunduar. Kjo është e tëra që mund të ju them për momentin”, tha Qerkini.

Çeku është intervistuar në Zyrën e Prokurorit Special në cilësinë e të dyshuarit.

Sot po në këtë gjykatë paraqitjen e parë do ta bëjë edhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa, i cili është edhe i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale. Mustafën, Zyra e Prokurorit të Specializuar po e akuzon për vrasje, për ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe torturë.

Të premten, me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë arrestuar në Prishtinë edhe dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Për ta është lëshuar fletarrestim për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjykata Speciale, respektivisht Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të përkohshme me mandat dhe juridiksion të përcaktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës, të cilat filluan të kryhen ose u kryen në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000 nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë ose kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.








Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.