Prishtinë, protestë në mbështetje të Palestinës
Qytetarët në Prishtinë dënuan dhunën dhe terrorin mbi popullin palestinez, duke kërkuar paqe, qetësi dhe stabilitet për ta.

Prishtinë
PRISHTINË (AA) - Për më shumë se një orë, në sheshet e kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, valuan flamuj të Palestinës, mesazhe dhe thirrje për paqe për popullin palestinez, në një protestë paqësore, raporton Anadolu.
Qindra qytetarë të mbledhur në Prishtinë, burra, gra, fëmijë dhe pleq, iu bashkuan tashmë zërave të qytetarëve nga kryeqendra të ndryshme evropiane e globale për paqe në Palestinë.
Qytetarët në Prishtinë dënuan dhunën dhe terrorin mbi popullin palestinez, duke kërkuar paqe, qetësi dhe stabilitet për ta.
Disa nga ata që morën fjalën para pjesëmarrësve, thanë se dolën në sheshe për t’u radhitur kundër shfarosjes sistematike në Palestinë, kundër padrejtësisë që mohon të drejtën e jetës dhe dinjitetit njerëzor.
“Edhe ne si popull, kemi përjetuar dhe e dimë se çfarë është dhimbja. Edhe ne kemi kaluar kohëra kur zëri ynë nuk dëgjohej”, theksoi njëri nga protestuesit.
Përpos thirrjeve “Liri për Palestinën”, një flamur i madh palestinez u shtrua në mes të shesheve, rreth të cilit u vendosën fotografi nga tragjedia në Gaza, të njerëzve duke bartur viktima dhe të atyre që janë dobësuar ekstremisht fizikisht nga uria.
Gjithashtu, simbolikisht mbi flamur u vunë edhe disa lodra fëmijësh, për të treguar viktimat e kësaj kategorie si dhe mungesën lojës te fëmijët që ende janë gjallë.
Izraeli po përballet me zemërim në rritje për shkak të luftës shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61.000 persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë së përgjithshme.
Në nëntor të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.