BALLKANI

Prishtina shëmtohet nga mbeturinat

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tha se menaxhimi i duhur i mbeturinave urbane është thelbësor për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve

Agim Sulaj  | 20.05.2025 - Përdıtësım : 20.05.2025
Prishtina shëmtohet nga mbeturinat Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Mungesa e një menaxhimi adekuat në pushtetin lokal, në Komunën e Prishtinës, ka shëmtuar rrugët e kryeqytetit kosovar, Prishtinës, me kontejnerët e mbushur me mbeturina për tash e disa ditë, raporton Anadolu.

Kontejnerët pranë shtëpive sikurse ato në rrugën "Maliq Pashë Gjinolli", në një prej lagjeve më të vjetra të kryeqytetit, por edhe ato pranë banesave kolektive në lagjen "Tophane" si dhe në "Mati 1", kanë ngjallur reagime, fillimisht nga qytetarët por më vonë edhe nga institucionet e vendit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke theksuar se menaxhimi i duhur i mbeturinave urbane është thelbësor për ruajtjen e një ambienti të pastër dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ka ngritur alarm duke paralajmëruar për përhapje të sëmundjeve.

"Kjo situatë krijon kushte të favorshme për zhvillimin e baktereve, parazitëve dhe insekteve, duke rritur rrezikun për përhapjen e sëmundjeve infektive, si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksionet e traktit respirator. Në aspektin mjedisor mbeturinat kontribuojnë në ndotjen e tokës, ujërave dhe ajrit duke dëmtuar ekosistemet dhe biodiversitetin", thuhet në reagim.

Për shkak të kësaj situate, IKSHPK-ja tha se qentë dhe macet në qytet janë rrezik shtesë potencial, për shpërndarjen e mbeturinave dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse.

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave "Pastrimi" e cila është përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave, kanë protestuar dje para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për bllokimin e mjeteve financiare dhe, siç thanë ata, tentativat për ta privatizuar këtë ndërmarrje publike nga ana e komunës.

Sipas tyre, Komuna ka bllokuar një borxh prej 2.7 milionë euro, duke rrezikuar pagat e punëtorëve dhe duke i lënë ata edhe pa karburante për kamionë, gjë që ka sjellë ndërprerjen e punës së tyre në terren.

Nga Komuna e Prishtinës kanë thënë se janë të gatshëm për të arritur një marrëveshje për nënshkrimin e një kontrate të re në vlerë prej 1.5 milion euro, e cila hap rrugë që kompania "Pastrimi" të marrë përsipër një pjesë më të madhe të mbulimit të territorit të kryeqytetit, duke rritur kapacitetin krahas dy operatorëve aktualë që janë aktivë në Prishtinë. Por, marrëveshja mes palëve ende nuk është arritur.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e cila e ka kualifikuar gjendjen aktuale në kryeqytet si "ndotje, degradim ose shkatërrim i mjedisit", ka autorizuar policinë për grumbullimin e provave lidhur me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.

Prokurori i Shtetit, në cilësinë e koordinatorit të krimeve mjedisore në Prishtinë, ka kërkuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore në Prishtinë, që të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Kjo është java e dytë me të cilën qytetarët që jetojnë në kryeqytet po përballen me mbeturinat e tyre të braktisura në "derë të shtëpisë" nga autoritetet kompetente.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.