Agim Sulaj
06 dhjetor 2019•Përditësim: 06 dhjetor 2019
Dhjetëra qytetarë si dhe nxënës të shkollave fillore të Prishtinës kanë marshuar sot në sheshin e kryeqytetit dhe para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kundër ndryshimeve klimatike, raporton Anadolu Agency (AA).
Me pankarta “Jo Hidrocentrale”, dhe “Nuk na duhet rryma kur na zihet fryma”, është marshuar nga qendra “Termokiss” në Prishtinë, deri tek sheshi “Skënderbeu” dhe MMPH.
Përfaqësuesi i këtij marshi të organizuar nga organizatat “Gaja” dhe “Termokiss”, Granit Thaçi, para Ministrisë së Mjedisit, tha se qytetarët po përballen me probleme të shumta nga ndryshimet klimatike, si mungesa e ujit, mbeturinat në lumenj e ajri i ndotur.
Ai tha se edhe më keq bëhet kur ndërtimi i hidrocentraleve, nga të cilët po “fitojnë njerëzit e pasur, po bëhet me idenë e gjenerimit të energjisë së ripërtërishme”.
“Na është thënë shumë shpesh prej liderëve tanë se Kosova emeton shumë pak gazra dhe s’mund të llogaritet si kontribuues i ndryshimeve klimatike. Na është thënë që jemi shumë të vegjël të ndikojmë në këtë rrethana, por mund ta shihni vetë ajrin. Kemi vetëm dy termocentrale, 300 mijë vetura dhe mijëra shtëpi që djegin qymyr dhe fosile të tjera të cilat e bëjnë të ndihet kjo ndotje deri në palcë”, tha Thaçi.
Derisa u mbajt ky marsh, katër monitorë që u vendosën në tetor nga MMPH të cilët bëjnë identifikimin e cilësisë së ajrit në Prishtinë në kohë reale, treguan se cilësia aktuale e ajrit është jo e shëndetshme.
Pas fjalimit qytetarët mbollën dhjetëra pisha në dy lokacione të ndryshme, në parkun kryesor të Prishtinës dhe në parkun e stacionit të autobusëve.
Kjo është hera e dytë që në Prishtinë po organizohet një marsh i tillë. Në Kosovë më 20 shtator ishte raundi i parë i saj, ku shumë qytetarë marshuan deri tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të ngritur zërin.