BALLKANI

Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e TIKA-s, Abdullah Eren

Osmani tha se projektet e agjencisë TIKA kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë

Agim Sulaj  | 12.11.2025 - Përdıtësım : 12.11.2025
Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e TIKA-s, Abdullah Eren Foto: Zyra e Presidentes

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Presidentes, Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TIKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë.

Osmani e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës dhe si një shtet që ka qëndruar pranë popullit kosovar në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot. Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta.

Ajo e përgëzoi Abdullah Eren për emërimin e tij në krye të TIKA-s, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe duke i shprehur dëshirën për një vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Gjatë takimit, Osmani falënderoi TIKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit.

Në përmbyllje, presidentja kosovare potencoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın