Fatjon Cuka
16 Mars 2019•Përditësim: 16 Mars 2019
Partitë opozitare të Shqipërisë po mbajnë në Tiranë protestën e radhës antiqeveritare, ku pjesë e saj janë mbështetës të opozitës edhe nga qytete të tjera të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta që po mbahet para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, organizohet nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Për mbarëvajtjen e protestës së opozitës dhe shmangien e incidenteve janë angazhuar qindra forca policore, të vendosura pranë selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera.
Partitë opozitare kanë organizuar në javët e fundit disa protesta në Shqipëri që u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme.
Kujtojmë se deputetët e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare, ndërsa ky vendim është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE).
Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kundërshton idenë për zgjedhje të parakohshme, sot ndodhet për vizitë në qytetin e Beratit.