Husamedin Gina
21 Shtator 2020•Përditësim: 22 Shtator 2020
Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, theksoi se ndërtimi i aeroportit kargo në Shtip nuk është e arsyetueshme në aspektin ekonomik dhe se investimi i kompanisë TAV Maqedoni, të planifikuara sipas Ligjit për Partneritet publiko-privat prej thuajse 50 milionë euro, do të rialokohen për projekte me interes publik, raporton Anadolu Agency (AA).
Bekteshi zhvilloi takim pune me drejtorin e përgjithshëm të TAV Maqedoni, Alper Ersoy, ku më pas pati edhe konferencë për media.
Ministri Bekteshi, duke theksuar se ndërtimi i aeroportit të ngarkesave në Shtip nuk është i justifikuar ekonomikisht, tha se mjetet e TAV prej rreth 50 milion euro që janë të destinuara për aeroportin do të ridrejtohen në projekte me interes publik.
"Për atë vlerë, të gjitha komunat në vendin tonë tashmë kanë dorëzuar projekte. Dhe në varësi të kësaj, ne si Qeveri do të duhet të përcaktojmë një program që do t'ia dorëzojmë menaxhmentit të TAV me dinamikë të realizimit. Në përgjithësi, negociatat po shkojnë në drejtim që realizimi i këtyre projekteve të bëhet brenda 3 viteve", tha Bekteshi.
Bekteshi tha se paratë do të rialokohen në projekte me interes publik siç janë kanalizimet, ujësjellësi, kopshtet, shkollat por ndërkohë edhe godinat komunale, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve që i marrin qytetarët.
Drejtori i kompanisë TAV Maqedoni, Alper Ersoy theksoi se në takimin e sotëm me ministrin Bekteshi diskutuan për aspektet juridike rreth ridrejtimit të mjeteve që janë të destinuara për ndërtimin e aeroportit kargo në Shtip.
"Doemos të theksojmë se ne pajtohemi me këtë vendim të Qeverisë sepse ne e duam Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në benefitin tonë është që në vend se të investohen në ndërtimin e aeroporit kargo në Shtip, i cili nuk do të kishte aq benefit ekonomik për ekonominë, ato mjete të rialokohen në projekte që do të jenë në dobi të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut", theksoi Ersoy.
Në pyetjen gazetareske nëse do të kërkojnë benefite nga Qeveria, për shkak të krizës me COVID-19 dhe pasojat me të cilat pëballet TAV Maqedoni, drejtori Ersoy tha se aviacioni është një nga industritë më të prekura nga pandemia.
"Fakt është se aeroportet janë të mbyllura, e kjo do të thotë kurrëfarë të ardhurash në këtë kohë. Doemos duhet të theksojmë se të ardhurat në mënyrë dramatike janë ulur në këtë periudhë. Do të parashtrojmë kërkesë deri te Qeveria lidhur me këtë çështje", u shpreh ai.