Dzihat Aliju
11 gusht 2023•Përditësim: 13 gusht 2023
Me pjesëmarrje të personaliteteve të ndryshme në Komunën Çair të Shkupit është përuruar rruga "Adem Demaçi", raporton Anadolu.
Me rastin e përurimit të rrugës që mban emrin e veprimtarit të lirisë së Kosovës të njohur me nofkën "Mandela i Ballkanit", Adem Demaçi, u organizua një aktivitet ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, Izet Mexhiti, zv/shefi i Misionit të Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prindon Sadriu, mbesa e Demaçit, Fitore Shahini, të ftuar të tjerë dhe banorët e Shkupit.
Kryeministri Kurti, në fjalimin e tij në aktivitet rikujtoi se me 26 korrik ishte përvjetori i 5-të i vdekjes së Adem Demaçit.
Duke treguar se në Kosovë disa rrugë e mbajnë emrin e Adem Demaçit, Kurti tha se "emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçi në Maqedoninë e Veriut ka një rëndësi të veçantë".
"Emërtimi i një rruge nuk është thjesht evidentimi i një hapësire të lëvizjes, por edhe shenjim i një kohe me një emër. Është koha kur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore", tha Kurti.
Ai theksoi se atë periudhë shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës e kanë jetuar regjimin diktatorial të Jugosllavisë njësoj, "mes përndjekjesh politike dhe burgjesh, shpërnguljeve e emigrimeve, mes dëbimeve nga puna e mbylljeve të shkollave, nën përfaqësimit politik dhe pabarazive sociale, me liri të cunguara kombëtare e qytetare dhe të drejta të shkelura të njeriut".
"Po e jetësojmë veprën e një njeriut gjigand"
Kryetari i Komunës së Çairit Ganiu, nga ana e tij tha se sot po lënë edhe një gjurmë historike për shqiptarët e Shkupit, "po e jetësojnë veprën e një njeriut gjigand".
"Të gjithë ne e kemi pasur ideal Adem Demaçin, një figurë vërtetë e rëndësishme. Një personalitet që është vet historia më e re e shqiptarëve. Kolos i cili prej sot bëhet pjesë e jetës sonë, e nderimit tonë. Meqë çdo herë kur do shkelim në këtë rrugë, jo vetëm ne qytetarët e Çairit, por edhe të mbarë hapësirave shqiptare do të rikujtojmë rrugëtimin e Demaçit drejt lirisë", tha Ganiu.
Një rëndësi tjetër për emërtimin e kësaj rruge me emrin e Adem Demaçit, sipas Ganiut, është se në ndërtesën ku është kjo rrugë, Demaçi 30 vite më parë ka qëndruar tek familja Toska, menjëherë pas mbajtjes së grevës së urisë që e kishte mbajtur me një grup gazetarësh dhe intelektualësh të Kosovës për të mbrojtur fjalën e lirë.
Mbesa e Demaçit, Shahini, nga ana tjetër, falënderoi qytetarët e Shkupit që e kanë bërë një hap për të përkujtuar dajën e saj.
Shahini më pas për të pranishmit shpjegoi veprimtarinë e Demaçit. "Sot jam shumë krenare që jam duke e përfaqësuar familjen e ngushtë të dajës tim. Ai nuk ka vdekur, ai jeton. Ai është afër meje. Ai është duke më dëgjuar, jam shumë e sigurt", tha ajo.
Kryeministri Kurti, në kuadër të takimeve të tij do të vizitojë edhe Komunën e Tetovës, ku do të zhvillojë një takim me kryetarin e komunës Bilall Kasami, ku më pas së bashku do të përurojnë rrugën që lidh dy fshatrat e Tetovës, Vejcë dhe Sellcë.