BALLKANI

Osmani: Nëse rrezikojmë progresin në luftimin e krimit, rrezikojmë eurointegrimet

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se vendet e BE-së kanë "prag të ulët të tolerancës" sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit

Abdula Berisha  | 22.08.2019 - Përdıtësım : 26.08.2019
Osmani: Nëse rrezikojmë progresin në luftimin e krimit, rrezikojmë eurointegrimet ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në një konferencë për media bëri thirrje për mbështetje të plotë të autoriteteve gjyqësore për një procedurë të shpejtë, efektive dhe transparente për rastin "Zhvatja", me të cilën sipas tij sërish do të sigurohej besimi në institucionet dhe në sundimin e ligjit, raporton Anadolu Agency (AA).

Osmani tha se zhvillimet aktuale kanë ndikim të fuqishëm në zhvillimet e përgjithshme shoqërore dhe politike në vend.

"Rasti 'Zhvatja' apo 'reketimi' është kërcënim i drejtpërdrejt ndaj kapaciteteve institucionale të vendit që në mënyrë joselektive të ballafaqohet me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si dhe me sundimin e ligjit, duke vënë nën pikëpyetje kredibilitetin e njërit prej institucioneve më të rëndësishme të krijuara për këtë qëllim, Prokurorinë Speciale Publike", tha Osmani.

Zv/kryeministri ka inkurajuar organet që të vazhdojnë hetimin "pa marrë parasysh se deri ku çon ai". Osmani tha se ka qëndruar për vizitë në Finlandë dhe Danimarkë, ku krahas mirënjohjeve për punën e bërë, Maqedonia e Veriut ka marrë edhe këshilla të qarta dhe qëllimmira, të cilat sipas tij, duhet të kuptohet me seriozitet.

"Lufta joselektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe zbatimi efikas i sundimit të ligjit paraqesin vlera themelore evropiane për të cilat vendet e Bashkimit Evropian kanë një prag të ulët të tolerancës. Në këtë drejtim, nëse rrezikojmë progresin e deritanishëm në këtë fushë, rrezikojmë edhe progresin e arritur edhe në integrimet evropiane", tha Osmani.

Ai u bëri thirrje partive politike që të gjejnë zgjidhje për Ligjin për Prokurorinë Publike me të cilin duhet të rregullohet edhe fati i Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Në këtë mënyrë, Osmani tha se do të shmangen të gjitha dyshimet tek vendet anëtare të BE-së para vendimeve të rëndësishme që duhet të merren në tetor të këtij viti, kur Maqedonia e Veriut pret të marrë datë për fillim të bisedimeve për anëtarësim.

Në kuadër të rastit "Zhvatja", për të cilin Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i filloi hetimet më 15 korrik, si e dyshuar paraqitet numri një i PSP-së, Katica Janeva, e cila dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve. Që nga 21 gushti, ajo ndodhet në paraburgim 30-ditor në burgun e Shutkës.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.