BALLKANI

Në Shkup fillon "Kongresi i kërkimeve urbane"

Rektori i IBU-së, prof. dr. Lutfi Sunar tha se ata synojnë të kontribuojnë në idenë e një qyteti të mirë dhe zhvillimit urban përmes Fakultetit të Artit dhe Dizajnit që universiteti ka

Dzihat Aliju  | 22.10.2025 - Përdıtësım : 22.10.2025
Në Shkup fillon "Kongresi i kërkimeve urbane" Foto: Umeys Sulejman/AA

Shkup

Në Shkup filloi "Kongresi i kërkimeve urbane" i cili do të mbahet nga sot deri të premten, raporton Anadolu.

Me mbështetjen e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), Institutit të Kërkimeve Urbane dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), kongresi me temë "Zhvillimi urban, problemet dhe zgjidhjet", filloi me një aktivitet të mbajtur në kampusin e IBU-së.

Në fjalën e tij në hapjen e kongresit, kryetari i Bashkisë së Esenlerit në Stamboll, Mehmet Tevfik Goksu tërhoqi vëmendjen se në mënyrë që qytetet të jenë qytete që u ofrojnë njerëzve jetë, fillimisht mund të shihen se sa kuptim kanë vendet ku mund të jetojnë njerëzit dhe duke vizituar Bashkinë e Esenlerit bashkë me historinë e saj.

"Unë gjithmonë e përcaktoj një qytet në këtë mënyrë: Një qytet është një vend ku plotësohen nevojat e njerëzve. Është një vend ku plotësohen kërkesat e natyrës njerëzore pa pengesa, pa nevoja apo 'por'. Një qytet është një vend ku njerëzit mund t'i shohin dëshirat dhe shpresat e tyre një hap më tej, ku mund të realizojnë ëndrrat e tyre. Prandaj, nëse doni të ndërtoni një qytet që ofron jetesë, duhet të ndërtoni një qytet që ndërton ëndrrat e njerëzve", tha Goksu.

Rektori i IBU-së, prof. dr. Lutfi Sunar deklaroi se ata synojnë të kontribuojnë në idenë e një qyteti të mirë dhe zhvillimit urban përmes Fakultetit të Artit dhe Dizajnit që universiteti ka.

Pasi shprehu kënaqësinë e tij për organizimin e një kongresi kaq të mirë, Sunar shtoi se "Kjo konferencë është një nga më seriozet në Turqi".

Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Kërkimeve Urbane, Emir Osmanoglu përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit në kongres, i cili do të përfshijë diskutime gjatë tre ditëve me mbi 120 folës në 35 seanca.

"Qytetet nga njëra anë, janë qendra të transformimit të madh, përparimit teknologjik dhe rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, ato janë zona ku pabarazitë në rritje, padrejtësitë urbane dhe cenueshmëritë ekologjike përjetohen në mënyrën më të mprehtë", tha Osmanoglu.

Prof. dr. Zafer Çelik, anëtar i Fakultetit në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin 'Yildirim Beyazit' të Ankarasë tha se puna e tij në fushën e zhvillimit urban filloi në vitin 2009 dhe falënderoi TIKA-n dhe Bashkinë Esenler për kontributet e tyre në organizimin e kongresit.

Profesori i asociuar dr. Yahya Aydin, zëvendës dekan i Fakultetit të Shkencave Humane dhe Sociale në Universitetin 'Yildirim Beyazit' të Ankarasë tha se "Qytetet sot përballen me sfida dhe probleme të thella, siç janë ndryshimi i klimës, përshtatja ndaj klimës, migrimi dhe strehimi".

"Kongresi i kërkimeve urbane", i cili përfundon më 24 tetor, do të trajtojë tema të tilla si "Transformimi dhe qytetet e qëndrueshme", "Menaxhimi i fatkeqësive", "Identiteti urban dhe trashëgimia kulturore", "E ardhmja e qyteteve: transformimi dhe qeverisja dixhitale", "Banesat dhe strehimi", "Ndarja urbane dhe pabarazitë" dhe "Hapësira urbane, drejtësia mjedisore dhe klimatike".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.