BALLKANI

Mickoski në Ditën e Pavarësisë: Prioriteti ynë janë integrimet evropiane

“...Duhet të jetë një rrugë në të cilën do të jemi të barabartë me të gjithë popujt e tjerë evropianë, e jo të poshtëruar dhe të turpëruar siç, për fat të keq, të gjithë ne ndjehemi”, tha Mickoski

Abdulbesar Ademi  | 08.09.2025 - Përdıtësım : 08.09.2025
Mickoski në Ditën e Pavarësisë: Prioriteti ynë janë integrimet evropiane Foto: Umeys Sulejman/AA

Üsküp

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se prioriteti i vendit të tyre janë integrimet evropiane, por ka theksuar se ky rrugëtim nuk duhet të jetë i turpshëm, por i denjë, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e organizuar në Shkup me rastin e 34-vjetorit të Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, kryeministri Mickoski tha se pavarësia nuk është vetëm një “nënshkrim dhe letër”, por është “një sakrificë, një luftë dhe një dashuri për këtë tokë të shenjtë”.

Mickoski po ashtu bëri thirrje për bashkim, duke theksuar se pavarësia është një trashëgimi nga paraardhësit, si dhe një betim për brezat e ardhshëm.

“8 Shtatori nuk është vetëm një datë dhe aspak rastësi, por është vazhdimësi e etjes së njërit prej popujve më të vegjël në Evropë dhe pasojë e shumë betejave të atij populli”, tha ai.

Më tej, Mickoski gjithashtu foli për synimet euroatlantike të vendit, duke theksuar se prioriteti i vendit të tij mbetet integrimi evropian.

“Prioriteti ynë janë integrimet evropiane. Kanë qenë, janë dhe do të mbeten prioritet i lartë, por ky rrugëtim nuk duhet më të jetë i turpshëm, duhet të jetë i denjë. Duhet të jetë një rrugë në të cilën do të jemi të barabartë me të gjithë popujt e tjerë evropianë, e jo të poshtëruar dhe të turpëruar siç, për fat të keq, të gjithë ne ndjehemi”, tha Mickoski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut gjithashtu tha se sot vendi qëndron përballë kohërave që kërkojnë guxim dhe vendosmëri. Sipas tij, “duhet ta bëjmë zgjedhjen e duhur, zgjedhjen e punës, zgjedhjen e bashkimit, zgjedhjen e së ardhmes që do t’ua lëmë fëmijëve tanë”.

Maqedonia e Veriut shënon sot 34-vjetorin e pavarësisë. Në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.