Fatjon Cuka
05 Qershor 2020•Përditësim: 06 Qershor 2020
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka realizuar në Tiranë një takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me fokus diskutimet për bashkëpunimin mes dy vendeve, vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency(AA).
Presidenti Meta në një deklaratë për mediat tha se gjatë takimit me Thaçin, diskutuam për të nxitur më tej bashkëpunimin midis dy vendeve sa më shumë, sipas tij, "për zhvillimin e turizmit, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë edhe me stabilitetin e rajonit tonë dhe integrimin evropian të dy vendeve tona".
Meta tha se ajo që kemi biseduar është që Kosova të vazhdojë në rrugën e forcimit të institucioneve demokratike.
“Ajo që dua të vlerësoj është që pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme edhe në raport me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, kemi patur një tranzicion paqësor, demokratik të qeverisë në Kosovë dhe për këtë do doja të përshëndesja edhe ish-kryeministrin Albin Kurti të cilin e falënderoj shumë edhe për bashkëpunimin që kemi patur me të gjatë këtyre muajve. Përsëri Kosova dha një shembull mjaft pozitiv të respektimit të institucioneve. Shpresoj shumë që të ketë sa më shumë bashkëpunim për të gjitha sfidat që Kosova ka aktualisht", është shprehur presidenti i Shqipërisë.
Meta ka theksuar se Shqipëria do të mbështesë gjithmonë vullnetin e popullit të Kosovës dhe do të respektojë gjithmonë kushtetutën dhe institucionet e Kosovës.
Ndërkohë, Meta në rrjetet sociale, ka shkruar se "Është me rëndësi vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke, por edhe të ardhmen e tyre në BE. Bashkëjetesa midis shqiptarëve e serbëve është në interes të paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit tonë".
Gjithashtu Meta ka shkruar se gjatë takimit me Thaçin kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sipas tij me qëllim tejkalimin me sukses të pasojave social-ekonomike të pandemisë COVID-19, kthimin në normalitet të jetës së qytetarëve, dhe stabilizimin e plotë të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.